
Mes kritikave që pati përsa i takon veprimeve të prokurorëve e gjykatësve, kreu i qeverisë përmendi edhe një çështje e cila sipas tij po kthehet në praktikë të prokurorive të rretheve sa i takon masave të sigurisë ndaj punonjësve të administratës.
Ai tha se prokurorët e rretheve po i përdorin punonjësit e administratës për të pasuruar CV-të që më pas të kandidojnë për prokurorë në SPAK.
“Punonjësit e administratës nuk janë mish për top të askujt. Punonjësit e administratës nuk janë shënjestra për të mbushur prokurorët CV-në e tyre që të paraqiten nesër si kandidatë të ardhshëm për prokurorinë speciale. Është bërë e papranueshme ajo që ndodh në prokuroritë e rretheve me fletë arresti që shpërndahen si të ishin ftesa për dasmë”- tha Rama.
Më tej mori rastin e një punonjëse të administratës duke kritikuar faktin se ndaj saj ishte lëshuar fletë arresti në kushtet kur ka probleme shëndetësore dhe një fëmijë 2 vjeçar.
“Një punonjëse e administratës model që ka 5 vjet që lufton me kancerin që është me një fëmijë 2 muajsh, nuk mund të arrestohet pa patur asnjë lidhje vetëm sepse institucioni prezumohet se ka një lidhje me temën. Çfarë janë këto, ku jemi ne këtu?”- shtoi kryeministri. Versus.al

