POLITIKË /

"Qepe gojën...", Rama humb durimin me Braçen, debat i fortë në mbledhjen e socialistëve

Shkak i përplasjes u bë mënyra se si u zhvillua votimi për anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP)

Shkruar nga Versus
"Qepe gojën...", Rama humb durimin me Braçen, debat i
Erion Braçe dhe Edi Rama

Debate të forta janë raportuar gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë kryeministri Edi Rama dhe deputeti Erion Braçe.

Shkak i përplasjes u bë mënyra se si u zhvillua votimi për anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), përfshirë edhe zgjedhjen e drejtuesit të ri të këtij institucioni.

Braçe ka shprehur pakënaqësi për faktin se, sipas tij, deputetët u kërkua të votonin kandidatë pa pasur mundësi t’i njihnin apo t’i diskutonin më parë, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e ndjekur në këtë proces.

"Votuam njerëz që nuk i njohim. Na i sillni gjërat gati dhe kërkoni të votojmë me sy mbyllur."

Kjo kritikë ka sjellë reagimin e kryeministrit Rama, i cili ka theksuar se emrat e propozuar për KPP janë vendim i qeverisë dhe se procedura e votimit në Kuvend lidhet me kërkesa të Bashkimit Evropian.

"Ata janë verdikti i qeverisë. Ç’të bëj që na e kërkon BE-ja? Se nuk e sillnim fare në Kuvend."

Debati ka vijuar edhe më tej, ndërsa Braçe ka këmbëngulur në qëndrimin e tij.

Sipas raportimeve, në kulmin e diskutimit Rama iu drejtua deputetit me tone të ashpra.

“Qepe gojën. Mos fol mbi mua. Ik p*rdhu.”

Pas këtij episodi, kryeministri u ka përcjellë një mesazh edhe deputetëve të tjerë socialistë, duke paralajmëruar se mund të marrë masa ndaj atyre që, sipas tij, nuk respektojnë disiplinën e grupit.

"Do ta bëj ndonjërin shembull. Se deri tani kam menduar që nuk ju punojnë mirë neuronet."

Sipas raportimeve, kjo nuk është hera e parë që në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PS-së regjistrohen përplasje mes Edi Ramës dhe deputetëve socialistë, pasi edhe në të kaluarën kanë pasur debate të ngjashme dhe paralajmërime për masa disiplinore.

Tags:

edi rama

Poll