
Kryeministri Edi Rama njoftoi në podcastin e tij “Flasim” se buxheti i vitit 2026 parashikon një rritje prej afro 12% të fondeve për mbrojtjen, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Ramës, kjo nismë synon të përmbushë angazhimet e Shqipërisë për të qëndruar pranë objektivit të rritjes së financimeve në NATO, si dhe të përmirësojë trajtimin financiar të forcave të armatosura.
“Kur miratuam buxhetin e vitit 2026, vendosëm t’i japim mbrojtjes afro 12% më shumë fonde sesa viti i mëparshëm, gjë që ishte natyrisht edhe rezultati i angazhimit tonë për t’i qëndruar skedulës së rritjes së financimeve të vendeve të NATO-s, por edhe për t’i qëndruar zotimit për një trajtim gjithnjë e më dinjitoz të forcave tona të armatosura,” tha Rama.

Ai njoftoi gjithashtu se nga janari ka hyrë në fuqi rritja e pagave për ushtarakët, ndërsa në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratuar edhe mbulimi i kostos së transportit për çdo ushtarak aktiv.
Rama theksoi se qëllimi është që paga e ushtarit bazë në Republikën e Shqipërisë të rritet deri në 70% brenda këtij mandati, duke e afruar atë me mesataren e pagave në vendet e NATO-s.

“Ky është një hap i shumëpritur dhe i mirëpritur nga të gjithë ata që, nën uniformën e Forcave tona të Armatosura, i shërbejnë vendit në çdo front. Synimi ynë mbetet një pagë konkurruese dhe një trajtim financiar që deri në fund të këtij mandati do të jetë në mesataren e vendeve të NATO-s,” shtoi Rama. /VERSUS

