Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi mbajti një konferencë për mediat lidhur me detajet më të fundit për numrin e emigrantëve të regjistruar nga diaspora për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Por gjithashtu bëri me dije se partitë politike nuk kanë dorëzuar ende në KQZ emrat e anëtarëve të KZAZ-ve. Ndërsa theksoi se afati i fundit për paraqitjen e listave me kandidatët për deputetë është 24 marsi.
Ndër të tjera vuri në dukje domosdoshmërinë që Kuvendi të votojë sa më parë buxhetin për partitë politike.
“I kemi kërkuar Kuvendit që sa më parë të miratojë buxhetin për partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje. Me siguri ky buxhet do tu vihet në dispozicion subjekteve zgjedhore më para fushatës, pasi ky buxhet u është vënë në dispozicion në zgjedhjet e mëparshme shumë pak ditë para nisjes së fushatës ose në ndonjë rast edhe kur fushata kishte filluar”, tha Celibashi.
Sa i takon votimit elektronik, duke iu përgjigjur interesit të Partisë Demokratike, Celibashi tha se nuk do të ketë votim elektronik në qarqe, por nënvizoi se do të ketë votim pilot në njësi zgjedhore të vogla.
“I jemi përgjigjur pozitivisht PD-së për mos ta zhvilluar votimin elektronik në asnjë njësi zgjedhore. Por kemi detyrim ligjor që një projekt pilotnë një apo 2 njësi zgjedhore të vogla. Përfundimisht nuk do të zbatohet votimi elektronik në qark”- shtoi kreu i KQZ.
Më 9 mars KQZ do të ketë një listë përfundimtare të votuesve nga jashtë vendit. Ndërsa deri më tani janë bërë rreth 137 mijë kerkesa nga emigrantët për t’u regjistruar në zgjedhjet e 11 majit, mbi 50 mijë prej të cilave janë refuzuar Versus.al







