Mbledhja e Komisionit Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS është përfshirë sërish nga debatet mes deputetëve socialistë dhe demokratë.
Ardit Muçi, ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit ka kërkuar që dëshminë e tij në komision ta japë me dyer të mbyllura, kërkesë që është miratuar me votat e socialistëve.
Kjo është cilësuar si e papranueshme nga ana e demokratëve. Deputeti Lefter Gështenja tha se dëshmitarët e thirrur nga opozita për të dëshmuar në proces po kërkojnë vazhdimisht mbledhje për dyer të mbyllura duke mos bërë transparencë për qytetarët.
Salianji tha se pavarësisht se mbledhja e kaluar ku dha dëshminë e tij drejtori i përgjithshëm i policisë, kishte deklarata që i cilësoi si “të llahtarshme”. Nga ana tjetër deputeti i PS, Toni Gogu iu përgjigj se duhet të respektohet parimi i ligjit për sekretin hetimor që mund të kenë dëshmitarët e thirrur.
Pjesë nga debati në komision:
Gështenja: Është bërë e udhës që dëshmitarët të kërkojnë mbledhje me dyer të mbyllura. Unë nuk kuptoj pse përfaqësuesit e mazhorancës shprehin një gëzim të brendshëm që të gjitha seancat ku thirren dëshmitarët të bëhen me dyer të mbyllura. Nuk e kuptoj se çfarë sekreti hetimor mund të kenë dëshmitarët.
Unë u propozoj kolegëve të mazhorancës që dëshmitarët t’i thërrasim në orën 2 të natës nëse mbledhja duhet të bëhet me dyer të mbyllura. Nuk e kuptoj pse keni frikë të bëni transparancë. Nëse ka materiale që përbëjnë sekrete hetimore, të mos përgjigjen. Nuk mund të kuptoj sekretin hetimor që duhet mbajtur fshehur për publikun që dëshmitari të na tregojë si e mori informacionin për ndërhyrje në sistem. Nuk shoh arsye por vetëm manovra nga mazhoranca.
Salianji: Ju e dini se edhe ato që dëgjuam me dyer të mbyllura ishin llahtar në raport sesa thellë është cënuar siguria kombëtare në sistemin TIMS. Jo vetëm që do mbajmë përgjegjës ata që janë por duhet që të gjithë pa dallim partiak kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare duhet që të gjithë bashkë.
Gogu: Nuk na ka ngarkuar njeri të sekretojmë informacione porn a ka ngarkuar ligji që kur personat e thirrur se kanë sekret, duhet ta respektojmë atë. Komikja është të bësh të çuditurin dhe të bësh pyetjen çfarë meraku ka. Meraku këtu është vetëm të zbatohet ligji që të punojmë shumë dhe të bëjmë komente politike pak. Të punojmë siç punuam në 4 të mëngjesit port ë respektojmë dëshmitarët. Imagjinoni çfarë tallavaje e mendoni ju shtetin. Doni të shikoni prokurorët dhe BKH çdo ditë në televisor sepse keni të ngulur në ndërgjegjie kulturën e qytetarit digjital të tallavasë dhe prandaj merrni atë përgjigjie që merrni çdo herë në zgjedhje. Të mos bëjmë Lizën në botën e çudirave!
Salianji: Atëherë kush është pro që ta bëjmë edhe këtë mbledhje me dyer të mbyllura si lakuriqët e natës? Bravo, 8 pro, e mbyllët edhe këtë.
Në mbledhjen e kaluar e cila u zhvillua po ashtu me dyer të mbyllura, dëshmuan ministri i Brendshëm Taulant Balla, drejtori i policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i IT-së në polici, Ervin Muça. Mbledhja zgjati deri rreth orës 04:00 të mëngjesit. Ndërsa pas përfundimit deputetët demokratë thanë se kishin klasifikuar informacione “befasuese” mbi rrjedhjen e të dhënave në sistemin TIMS.
Ndërkohë është përcaktuar që për në mbledhjen tjetër të komisionit hetimor TIMS të pyeten si dëshmitarë, kryetarja e SHISH, Vlora Hyseni, Sajmir Boshnjaku drejtor i policisë për Kufirin dhe Migracionin, Enri Ndoni, drejtor i sistemeve në policinë e shtetit, Zef Laska drejtori i Burimeve Njerëzore në policinë e shtetit, dhe Neritan Nallbati, drejtor i Policisë Kriminale. Versus.al







