POLITIKË /

Seanca për komisionin “TIMS” zgjat deri në mëngjes, Salianji: Zbuluam të dhëna befasuese

Salianji tha se të dhënat e zbuluara gjatë mbledhjes së komisionit hetimor "TIMS" do të publikohen së shpejti.

Shkruar nga B.V
Seanca për komisionin “TIMS” zgjat deri në mëngjes,
Ervin Salianji dhe deputetët e tjerë të PD

Komisioni hetimor për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS u mbajt dje me dyer të mbyllura dhe zgjati deri në orën 03:30 të mëngjesit të sotëm.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, drejtori i policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dh eish-drejtori i IT, Ervin Muça të cilit i është caktuar masa “arrest shtëpie” për ndërhyrje të paautorizuar në TIMS, u rikthyen për herë të dytë në komision për të dhënë dëshminë pasi të gjithë deputetët anëtarë u pajisën me çertifikatë të përkohshme sigurie.

Gjatë mbledhjes, mësohet të ketë patur debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, ndërsa pas përfundimit të seancës, kryetari i komisionit, Ervin Salianji ka shpërndarë një video në facebook ku shprehet se kanë zbuluar të dhëna befasuese gjatë procesit hetimor.

“Kemi arritur të zbulojmë të dhëna befasuese në lidhje me hetimin parlamentar, që shumë shpejt do t’i bëjmë publike për të gjithë. Pavarësisht përpjekjeve të PS për të bllokuar këtë hetim ne po i shkojmë drejt fundit për ta ndriçuar plotësisht të gjithë këtë situatë të errët që ka ndodhur me të dhënat e sistemit TIMS”, shprehet deputeti.

Opozita kërkonte që mbledhja e komisionit të ishte me dyer të hapura për median, por socialistët këmbëngulnin se mund të bëhej fjalë për dëshmië që përmbajnë sekrete hetimore. Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga drejtori Muhamet Rrumbullaku i cili tha se përgjigjiet lidhur me pyetjet që mund t’i bëheshin atij, mund të përmbajnë sekrete hetimore. Versus.al

Poll