Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes opozitës dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, lidhur me praninë e Gardës së Republikës brenda sallës.
Debati nisi pasi deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, i kërkoi Peleshit të largonte një punonjës të Gardës, duke pretenduar se ai i kishte penguar aksesin drejt sekretarisë së Kuvendit, e cila ndodhet në pjesën e sipërme të sallës, pas karrigeve të ministrave.
“Aty keni vënë një punonjës të Gardës, kjo është skandaloze. Në asnjë parlament të botës nuk ka punonjës të Gardës brenda në sallë. Nga kush ruheni ju kryetar, nga ne? Kur e trajtoni deputetin e opozitës si armik... Trajtojeni opozitën në mënyrë më miqësore”, u shpreh Vokshi gjatë debatit.
Nga ana tjetër, Niko Peleshi reagoi duke deklaruar se nuk është kompetencë e tij të urdhërojë Gardën e Republikës të largohet nga ambientet e Kuvendit.
“Pse u kujtuat sot pas 36 vitesh, u kujtuat që të merreni me Gardën të vendosur te dalja apo hyrja e godinës, siç ka qenë historikisht. Në fakt më parë qëndronin dy gardistë aty përpara e tani nuk ka më”, tha Peleshi.
Përplasja shkaktoi tensione për disa minuta në sallën e Kuvendit, ndërsa opozita akuzoi mazhorancën për kufizim të rolit të deputetëve opozitarë./Versus.al


