
Mjeku Ilir Alimehmeti tashmë i ka bërë të qarta ambiciet e tij politike pasi u shfaq mbrëmjen e djeshme krah ish-deputetit Ervin Salianji në takimin që ky i fundit mbajti me strukturat e PD në Durrës.
Alimehmeti theksoi se selia blu ka nevojë për ndryshim të thellë në mënyrë që të arrijë të mbledhë njerëz rreth saj. ndërsa zbuloi se fokusi i tij është tek bashkia e Tiranës ku planifikon të kandidojë në zgjedhjet e 2027-ës.
"Unë fjalimet i mbaj të shkurtra. Në këto raste mesazhi është i rëndësishëm dhe mesazhi është mesazh bashkimi, bashkim njerëzish. Unë them se PD ka nevojë për t'u shtuar në ide dhe në njerëz. Mund të kemi edhe mendime ndryshe nga njëri-tjetri. Ka diskutime dhe mirë është që të bëhen dhe të fliten. Ne kemi një situatë ku duhet që të krijojmë sinergji forcash. Unë jam në një situatë që po shoh me kujdes zgjedhjet vendore të 2027 për Tiranën dhe aty kam qenë i fokusuar gjithmonë."-tha Alimehmeti.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD nuk arriti të fitojë mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit pavarësisht se ishte ndër kandidatët me më shumë vota në Tiranë. Versus.al


