
Vangjel Tavo është betuar këtë të hënë, 30 shtator, si kryetar i Bashkisë së Himarës.
Ceremonia për marrjen e detyrës ka nisur në orën 10:00 ku më pas kryebashkiaku Tavo ka bërë dhe betimin.
Gjatë fjalës së tij Tavo u shpreh se ai nuk do të jetë qytetari, por një shërbëtori i parë i Himarës dhe do të punojë me të gjitha energjitë për të përmisuar jetën e banorëve të kësaj bashkie.
'I privilegjuar të qëndroj para jush si kryetar i Bashkisë së Himarës, i nderuar që do ju shërbej banorëve në çdo njësi e fshat. Unë betohem se nuk do të jem qytetar i parë, por shërbëtor i parë i Himarës. Do të punoj në të mirë të banorëve për përmirësimin e jetës. Do jetë një qendër komunitare që kujdeset për nevojat e banorëve. Destinacioni më i mrekullueshëm, mbi të gjitha një zonë e banueshme për banorët, jo vetëm për Himarën, por të gjithë familjarët që të jetojnë më mirë. Kjo bashki do të jetë e juaja. Zyra ime do të jetë e hapur për banorët e thjeshtë. Do të jenë të hapura dyert dhe për ide për secilin që kërkon të kontribuojë në të mirën e Himarës.' është shprehur Tavo gjatë ceremonisë.
KQZ certifikoi mandatin e Tavos si kryetari i bashkisë së Himarës më 12 shtator.
Mandatin si kryebashkiak Tavo do ta ushtrojë për tre vite deri në 2027 ku do të zhvillohen zgjedhjet lokale të radhës./ Verssu.al







