
Pas shpalljes së rezultatit final për bashkinë e Himarës ku fitoi me 1477 vota më shumë sesa kundërshtari i tij Petro Gjikuria, Vangjel Tavo i PS bëri një reagim zyrtar në rrjetin e tij social “facebook” ku falenderon të gjithë mbështetësit e tij të cilët e votuan ndërsa nuk mungoi as shprehja e mirënjohjes ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.
Ndër të tjera, Tavo përsëriti ftesën e tij të bërë për Gjikurinë para zgjedhjeve, duke u shprehur i gatshëm se nëse ky i fundit kishte vendosur të jetonte në Himarë, atëherë posti i nënkryetarit të bashkisë është i hapur për të.
“Në përfundim, dua të përsëris atë që e kam thënë vazhdimisht përpara datës së votimit, se, fjala ime është një kontratë publike për mbajtjen e premtimeve. Kësisoj, jo më si kandidat, por tashmë zyrtarisht si Kryetar i Bashkisë Himarë, unë e ftoj z. Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë. Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedentë në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki”- tha Tavo.
Reagimi i plotë i Vangjel Tavos:
Unë do drejtoj duke shërbyer, do punoj duke vënë interesat tuaja mbi çdo gjë, e do jem kryebashkiaku i përkushtuar ndaj gjithësecilit prej jush, si votuesve të mi ashtu edhe asaj pjese që nuk më votoi, sepse Himara është e pandarë, sepse zhvillimi që na pret përpara për Himarën nuk është i fragmentuar por një dhe i tërë. Sepse ngjyrat politike janë individuale ndërsa e ardhmja është e përbashkët dhe komunitare. Dhe, vetëm kështu, të pandashëm nga bindjet dhe ndasitë, në bashkëjetesë e harmoni të plotë, ne do e çojmë përpara Himarën, në paqe dhe begati.
Himara është e himarjotëve dhe himarjotët meritojnë të jetojnë ashtu siç duan: në liri, harmoni e bashkëjetesë me të gjitha realitetet në Himarë, duke ecur përpara krah për krah në të mirën e komunitetit dhe mirëqenien e çdo familje.
Së bashku ne do kemi një Himarë demokratike, bashkëkohore, evropiane, multikulturore, të zhvilluar e të begatë, me rritje të një ekonomie që ndikon drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të thjeshta. Një Himarë që do tërheqë investime në turizëm, shërbime, infrastrukturë, kulturë, e të tjera. Një Himarë gjithëpërfshirëse që i takon vetëm banorëve, një popull me histori unike e të lavdishme, krenare për të parët dhe vlerat e rralla që ka.
Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për Kryeministrin Edi Rama i cili më propozoi dhe besoi te unë me vullnetin dhe dashamirësinë e tij të plotë për t’i dhënë Himarës normalitet dhe mbështetje edhe më të madhe për të ecur përpara e për t’u zhvilluar, ashtu siç e meriton. Për ta bërë Himarën kryefjalën e bashkëpunimit dhe harmonisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke lënë pas në të shkuarën kapitullin e mbyllur të para 4 gushtit, e që nga sot, duke parë përpara drejt një të ardhme më përbashkuese dhe evropiane.
Falenderoj strukturat e PS, çdo anëtar të ekipit tim të afërt por edhe mbështetës në distancë, çdo komisioner e vëzhgues, dhe cilindo që kontribuoi që i gjithë procesi zgjedhor të ishte i rregullt dhe demokratik.
Ju falenderoj nga zemra e ju jam tejet mirënjohës.
Në përfundim, dua të përsëris atë që e kam thënë vazhdimisht përpara datës së votimit, se, fjala ime është një kontratë publike për mbajtjen e premtimeve. Kësisoj, jo më si kandidat, por tashmë zyrtarisht si Kryetar i Bashkisë Himarë, unë e ftoj z. Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë. Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedentë në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki.
Nëse z. Gjikuria ka vendosur të qëndrojë e jetojë në Himarë unë e mirëpres të pranojë e t’i bashkohet programit tonë për Himarën dhe himarjotët. E ka ftesën e hapur për të kontribuar me ide dhe energji për të ecur përpara. Sepse Himara është e të gjithëve. Në mbyllje ju shpreh edhe një herë mirënjohjen time e ndihem thellësisht i privilegjuar e i nderuar që do ju shërbej si Kryetar i Bashkisë së Himarës.
Vangjel Tavo arriti të fitonte me mbi 58.62% të votave përballë 41.38% të votave që arriti të merrte Petro Gjikuria. Gjatë procesit zgjedhor pati akuza nga ana e opozitës për manipulim dhe presion ndaj zgjedhësve duke theksuar skadimin e kartave të ID për mbi 6 mijë persona me të drejtë vote. Versus.al







