Gjatë takimit që kryeministri Edi Rama pati me pensionistët në qytetin e Durrësit, ka pasur edhe një moment kur njëri prej tyre ka tentuar të flasë pa radhë dhe pa mikrofon.
Kjo gjë ka sjellë reagimin e kryeministrit i cili i ka bërë thirrje të moshuarit që të mos u ndërpresë fjalën të tjerëve. Pensionisti i ka kërkuar që ta respektojë ndërsa Rama i është përgjigjur duke i thënë se nuk mund të arrijë asgjë me detyrim.
Pjesë nga debati mes Ramës dhe pensionistit:
Pensionisti: Nëse do me lejosh…
Rama: Dua të them disa gjëra, me zor dhe pa radhë nuk ka. Të lutem se ka dhe të tjerë. (ndërhyn një person për të shoqëruar pensionistin) Lëre o djali. Të lutem shumë, çfarë është kjo tani. Ti mund të duash të ngresh probleme por ka të tjerë që duan të flasin.
Pensionisti: Duhet të më respektosh, Je i detyruar të më dëgjosh...
Rama: Pa radhë nuk ka dhe 4 herë e ndërpreve zotërinë. Me zor me mua nuk fiton dot asnjeri me mua. Të falënderoj shumë, por pa radhë dhe me zor nuk ka. Aq më keq nëse jemi një fis bashkë.
Ky është takimi i radhës që Rama zhvillon me pensionistët të cilëve u ka përsëritur se rritja e pensioneve të tyre varet nga deklarimi i pagave në biznese të ndryshme. Ndërkohë një tjetër protestë e pensionistëve po zhvillohet sot para kryeministrisë. Versus.al