Ashtu siç e paralajmëroi Damian Gjiknuri gjatë seancës plenare të së enjtes në Kuvend, PS ka depozituar sot në Kuvend një projektligj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor ku parashikohet vota e emigrantëve dhe ndryshime në herësin e zgjedhjes të deputetëve.
Projektligji është depozituar nga 7 deputëtë të Partisë Socialiste.
Duke qenë se Reforma Zgjedhore me komisionin bipartizan mes palëve nuk arriti asnjë raport përfundimtar, Gjiknuri tha se pjesë e raportit janë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa sa i takon votimit të emigrantëve jashtë Shqipërisë që mbetet çështja më me rëndësi, sipas PS, regjistrimi i tyre jashtë vendit duhet të bëhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Si do të funksionojë votimi i emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit:
Regjistrimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, do të nisë 100 ditë para zgjedhjeve paralamentare të 2025-ës dhe do të zgjasë rreth 50 ditë. Procesi i votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë do të nisë ditën kur KQZ të dërgojë materialet zgjedhore në shtetet përkatëse. Regjistrimi i tyre do të bëhet online sipas rretheve ku janë rezidentë në Shqipërisë.
Votimi do të përfundojë në të njëjtën ditë dhe orë kur përfundon procesi i votimit në Shqipëri. Më pas materialet zgjedhore do të transportohen për në Shqipëri dhe do të numërohen sipas rrethenve përkatëse nga ku janë rezidentë shqiptarët që kanë votuar.
Ndryshim i formulës së herësit
Në projektligj parashikohet edhe një ndryshim sa i takon deputetëve që mund të zgjidhen për të qenë pjesë e Kuvendit. Fillimisht do të kenë përparësi ata deputetë të cilët thyejnë herësin që nuk do të jetë më i madh se 7 mijë vota. Herësi i ndarjes së mandative është numri që del nga pjesëtimi i votave të marra nga partia politike me numrin e votave të fituara nga deputeti. Versus.al
Dokumenta bashkëngjitur







