Rezolut anti-korrupsion e shpallur nga kryeministri Edi Rama ditë më parë dhe i shumë komentuar nga opozita do të paraqitet të hënën në Kuvend.
Gjithashtu Partia Socialiste ka kërkuar gjithë përfshirjen e deputetëve.
Në këtë rezolutë për luftën anti-korrupsion Rama ka kërkuar dhe bashkëpunimin e opozitës në parlament.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi për shqyrtimin e këtij propozimi tha se do duhet të parashikohen edhe disa orë diskutimi për deputetët dhe se nuk ka mbivendosje kompetencash.
“Nuk mund ta bëjë qeveria këtë gjë prandaj po marrim një iniciativë të tillë në Parlament. Qeveria është një nga institucionet që do të raportojë për mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit. S’ka asnjë merak për mbivendosje kompetencash nga Këshilli i Integrimit Europian apo komisionet e tjera. Procesi Screenig është burimi kryesor që na çon në marrjen e kësaj iniciative duke e shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen. Padiskutim që mazhoranca ka barrën kryesore sepse i është deleguar sovraniteti nga qytetarët, por ne kemi kërkuar gjithëpërfshirje në Parlament për ta udhëhequr këtë iniciativë”, deklaroi Çuçi.
Draft-rezoluta u prezantua ditë më parë në mbledhjen e deputetëve dhe ministrave ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, nga ministrja e Shtetit për Parlamentin Elisa Spiropali.
Në kuadër të kësaj rezolute PS ka propozuar edhe ngritjen e një Komisionin të Posaçëm Parlamentar, i cili do të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.







