
Gjatë hapjes së qarkullimit në rrugën Thumanë-Kashar, pjesë e korridorit blu, kryeministri Edi Rama dha detaje edhe për punimet në Rrugën e Arbrit.
Punimet më problematike janë ato në tunelin e Murrizit, për të cilat Rama tha se nuk donte të vendoste afate, por la të kuptohet se mund të përfundojnë brenda këtij viti. Ndërsa theksoi se ndryshe nga aksi që u hap sot, Rruga e Arbrit nuk do të jetë me pagesë.
“I kam shumë merak dibranët. Tuneli i Murrizit është fiksimi, por në luftë me gjeologjinë, prandaj i Llogarasë erdhi para për këtë shkak. Po ecim në Murriz, por nuk dua të vë afate, nuk duam të kemi befasira të gjeologjisë Nëse fuqia e zotërve të Dibrës do të na ndihmojmë do të kemi përfundimin e tunelit brenda vitit dhe të gjithë dibranët mund të mblidhen në sofrën e madhe dibrane për Vit të Ri. Rruga e Arbërit nuk do të jetë me pagesë”, tha kryeministri.
Ndërkohë, në aksin e hapur sot për qarkullim, çdo mjet që qarkullon, duhet të paguajë tarifën prej 2.1 eurosh. Versus.al







