
Jet Bank, banka e parë dixhitale e licencuar në Shqipëri nga Banka e Shqipërisë, po nxit dyshime të mëdha për transparencën e bordit të saj drejtues.
Një vështrim i thellë në strukturat e saj zbulon figura si Oliver Hemmer, i lidhur me platformën mashtruese Forex "4XFX" e hetuar në Britani, Spanjë, Estoni dhe Australi, ku ai shërbeu si drejtor menaxhues i kompanisë Gal BlockIntl Ltd në Berlin.
Pyetja kryesore mbetet: si kaloi Hemmer procesin "fit & proper" të BSH-së, që kërkon integritet të patëmetë pa lidhje me aktivitete të paligjshme financiare?
Në bordin e Jet Bank figuron edhe Rami Solomon, ish-zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë së Izraelit, pa asnjë profil publik apo përvojë të njohur në sektorin bankar apo financiar.
Kalimi i tij nga administrata shëndetësore në një pozicion kyç në një bankë shqiptare duket i pazakontë dhe mungesa e transparencës rreth kualifikimeve të tij nxit pyetje për seriozitetin e vlerësimit të bordit.
Ndërkohë, Gal Bar Dea, ish-drejtor i përgjithshëm i bankës dixhitale izraelite One Zero (e lidhur me Amnon Shashua të Mobileye), ka qenë ndërmjetësi kryesor në procesin e licencimit dhe rekrutimit të stafit për Jet Bank.
Roli i tij – si përfaqësues aksioner apo këshilltar – mbetet i paqartë, por prania e tij ka dhënë një shtresë legjitimiteti ndërkombëtar, pavarësisht anulimit të planeve të zgjerimit të One Zero në Itali.
Këtyre emrave u shtohet pronari kryesor, Idan Avishai (71.5% përmes Constador LTD në Qipro), me lidhje të mëparshme në platforma Forex pa licencë, ndërsa 28.5% e aksioneve ruhen nga pesë kompani offshore që nuk zbulojnë pronarët përfundimtarë.
Kjo strukturë ngre shqetësime serioze për stabilitetin financiar dhe transparencën e Jet Bank, duke sfiduar procesin rregullator të BSH-së. A do të hetohen këto lidhje nga autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare?/Versus.al


