
Hektor Xheçuka, i njohur si vrasës me pagesë është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës për pengmarrjen e një 35 vjeçari të cilit ka tentuar t’i marrë 70 mijë euro, ngjarje në të cilën rezulton i përfshirë edhe ish-presidenti i klubit të Kamzës Naim Qarri dhe 5 persona të tjerë.
Xheçuka, njeri i ish-bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinajt ishte shpallur në kërkim edhe nga SPAK pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin “Sky ecc” ku planifikoheshin vrasje. Ai ishte një ndër personat që kishte marrë përsipër të organizonte ekzekutimin e mbetur në tentativë të “të fortit” të Niklës, Durim Bamit në 2020-ën për llogari të Ervis Martinajt.
Ngjarjet kriminale ku dyshohet se Xheçuka është i përfshirë:
Vrasja e Emiljano Boçit
Ngjarja ndodhi më 14 Janar të vitit 2018 në afërsi të Policisë Bashkiake dhe 36-vjeçari u arrestua si autor i dyshuar i krimit.
Hektor Xheçuka u akuzua për vrasjen me paramendim të Emiljano Boçit dhe vrasjen e mbetur në tentativë të Melvi Dishës, mik i viktimës, që mbeti i plagosur në atentatin e 14 janarit 2018 në Tiranë.
“Atentati, ku mbeti i vrarë Emiljano Boçi dhe u plagos shoku i tij Melvi Disha, pranë Policisë Bashkiake në Tiranë, dyshohet të jetë realizuar nga një vrasës me pagesë”, thanë burimet policore pas ngjarjes.
Emiljano Boçi, kishte vetëm 3 javë që ishte kthyer nga Gjermania ndërroi jetë në spital.
Ai dhe miku u tij Melvi Disha u qëlluan sapo kanë hipur në makinën tip “Range Rover”, me targa gjermane, ngjyrë e bardhë, sipas Policisë nga Hektor Xheçuka.
Burime nga Policia thanë në atë kohë se në drejtim të makinës është qëlluar të paktën 5 herë me armë zjarri me silenciator. Në sediljen e parë të makinës ndodhej edhe e dashura e viktimës, por ajo i shpëtoi plumbave dhe lajmëroi policinë për atentatin.
Në nëntor 2028, policia vendosi në pranga të riun me dy emra si autor të dyshuar të ngjarjes, por u lirua nga qelia.
Gjithashtu Hektor Xheçuka ka qenë i dënuar më parë për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.
Për këtë vepër penale ai ka qenë i shpallur në kërkim për disa kohë nga Policia e Tiranës, derisa u arrestua më 25 shkurt të vitit 2015, në pikën kufitare Tre Urat në Përmet, me qëllim vuajtjen e dënimit.
Po ashtu, Hektor Xheçuka dyshohet se kishte tentuar të vriste një person, ngjarje që daton 6 korrikun e vitit 2020 në zonën e Matit.
Enrik Metra dëshmoi se 36-vjeçari e kishte qëlluar me armë në ambientet e jashtme të një restoranti ku po flisnin për një ngjarje të rëndë që i kishte ndodhur vëllait të Xheçukës.
Më pas u tha se Xheçuka u mor i pandehur nga Prokuroria e Matit për akuzën e “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve”.
Gjithashtu në 17 Janar 2022 ai është ndaluar në zonën e Xhamllikut, teksa ecte në rrugë i vetëm ndërkohë që ishte në arrest shtëpie.
Në momentin e arrestimit burime për gazeta “Panorama” thanë se ende nuk dihej arsyeja e thyerjes së asaj mase nga ana e Xheçukës, ndërkohë ai nuk bëri rezistencë ndaj punonjësve të Policisë në momentin që u ndalua.
Përveç Hektorit, probleme me drejtësinë ka edhe vëllai i tij, Elsoni, i cili është akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, ngjarje e ndodhur në shkurt 2021 në Fier. Ndërkohë dyshohet se Xheçuka ndodhet në Dubai dhe se prej atje mund të ketë organizuar pengmarrjen e 35 vjeçarit në Tiranë. Versus.al







