Është zbardhur dëshmia e autorit të vrasjes së 33-vjeçarit në Durrës. Majlind Habibi ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur pasi Branko Shkoza i kishte ngacmuar gruan dhe e kishte ofenduar.
Ai ka thënë se e kishte shtyrë në kanal dhe më pas ishte larguar nga aty. Habibi ka thënë më tej se pasi ka marrë vesh se shoku i tij nuk kishte shkuar në shpi, ka shkuar sërish në vendin e ngjarjes dhe ka parë trupin e spostuar nga aty ku kishte rënë. Ai ka deklaruar se ishte penduar për krimin e kryer.
‘Shkak për sherrin u bë fakti se më kishte ngacmuar gruan. Unë nuk doja ta vrisja. Po në një moment e shtyva. Nuk kisha për qëllim që ta vrisja. I kërkova të mos më ngacmonte bashkëshorten. Ai mu përgjigj shumë keq, më ofendoi.
Me tha ‘shiko bëj ndonjë punë tjetër se i zgjidh vetë hallet gruaja jote’. Në këtë moment mu errësuan sytë dhe nuk mendova gjatë. E shtyva dhe ai përfundoi në kanal. Unë më pas u largova në shtëpi dhe e lash aty. Nuk mendova se kishte vdekur, thash me vete se do ngrihet prap se në ujë ra. Ditën e dytë mësova se nuk kishte shkuar në shtëpi.
Shkova sërish ditën e dytë te vendi ku u përleshëm dhe pash që trupi i tij ishte spostuar disa metra nga vendi. Nuk kisha guxim të tregoja se çfarë kishte ndodhur. Më kapi paniku. Kur e gjetën trupin e tij dhe e mori policia dhe ambulanca thash nuk kanë për ta kuptuar, por do mendojnë se ka rënë vetë se edhe pinte alkool. Jam penduar shumë, por nuk i kisha asnjë borxh. Më kishte rënë në qafë.’, ka deklaruar autori para hetuesve.







