
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për vrasjen e ndodhur më 31 mars në Shkozë ku 18 vjeçari Aurelio Dervishi u godit me thikë në gjoks nga një 16 vjeçar.
Janë marrë të pandehur 4 adoleshentët të cilët janë përfshirë në krimin e rëndë, ndërsa shkak dyshohet të jetë bërë xhelozia për një vajzë. Sipas hetimeve të prokurorisë, mësohet se Aurelio Dervishi ishte në makinë me ish-të dashurën e njërit prej autorëve.
“Nga hetimet rezultoi e provuar se rreth orës 20:45 pm të 31.03.2024 personat e arrestuar kanë parë duke lëvizur mjetin tip ‘Audi’ me të cilin lëvizte viktima, shtetasi A.D., me miqtë e tij dhe një vajzë që dyshohet se kishte pasur lidhje me parë më një nga bashkëpunëtorët në vrasje shtetasin F.Sh.
Për shkak të xhelozisë e duke menduar se po qeshnin me të, shtetasi F.Sh. i ndoqi nga pas me makinë duke i prerë rrugën. Në grindje e sipër, ai ka kërkuar nga shoku i tij, shtetasi Sh.H., të nxjerrë thikën dhe të qëllojë viktimën. Ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë janë rrahur me grushte me viktimën dhe shokët e tij”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Ndërsa pas kryerjes së ekspertimit mjeko-ligjor u provua se 18 vjeçari Aurelio Dervishi humbi jetën si pasojë e shokut hemorragjik traumatik të shkaktuar nga plaga e marë në kraharor.
Adoleshentët Sh.H., F.Sh., B.Sh dhe I.I. akuzohen për veprën penale ‘Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim’ duke e goditur me sende të forta dhe me thikë 18 vjeçarin. Versus.al








