Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Fier-Vlorë.
Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë me dije, se pranë Novoselës ka ndodhur një atentat me armë, ku dyshohet se është ekzekutuar me armë një person.
Personi është gjetur i pajetë brenda një makine që më pas është aksidentuar.
Rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes është gjetur dhe një makinë në flakë.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet.
Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin K. M., 30 vjeç, i cili ka humbur jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.







