Ervis Çela, 41 vjeç, banues në Peqin, është vënë në pranga nga Forcat e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Arrestimi i tij u krye në zonën e Qeparos, ku Çela fshihej prej kohësh.
Ai ishte shpallur në kërkim pas një vendimi të Gjykatës së Elbasanit, e cila ka njohur një vendim të formës së prerë të Gjykatës italiane, që e dënon atë me 21 vite burgim. Nga ky dënim, Çelës i kanë mbetur edhe 1 vit, 11 muaj dhe 16 ditë për të vuajtur.
Ndaj tij rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë: vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim, heqje e paligjshme e lirisë, fshehje ose asgjësim i kufomës, mbetur në tentativë, kanosje për të mos kallëzuar krimin si dhe mbajtje pa leje e armëve shpërthyese dhe municioneve.
Pas arrestimit, Çela është shoqëruar në ambientet e policisë, ku do të vijojnë procedurat përkatëse për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit. /Versus.al/







