AKTUALITET /

1 mijë euro ryshfet dhe 3 raste korrupsioni, SPAK çon për gjykim avokatin Bardh Koçi dhe klienten

Avokati ka deklaruar më herët se nuk ka gjyqtar që korruptohet me 1 mijë euro ryshfet.

Shkruar nga Versus
1 mijë euro ryshfet dhe 3 raste korrupsioni, SPAK çon për
Avokati Bardhi Koçi

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të avokatit Bardhi Koçi i cili që prej marsit të këtij viti mbahet nën arrest shtëpie nën dyshimin se ka korruptuar me 1 mijë euro një gjyqtar për të ndikuar në vendimin e tij.

Gjithashtu janë mbyllur hetimet edhe për Pranvera Meshin e cila i ka dhënë 1 mijë euro Koçit me qëllim që ai të ndikonte tek gjyqtari që shqyrtonte çështjen e saj në të cilën akuzohej për falsifikim dokumentesh.

Në kohën e kryerjes së veprës penale, sipas SPAK Koçi ka qenë auditues në Kontrollin e Lartë të Shtretit dhe i ka kërkuar Meshit 1500 euro ryshfet. Paraprakisht ajo ia ka dhënë 1 mijë euro.

Prokuroria e akuzon avokatin edhe për dy episode të tjera korrupsioni. Konkretisht dyshohet se ka kërkuar 1300 euro nga A.M me qëllim ushtrimin e ndikimit tek dy funksionarë të drejtësisë me qëllim përshpejtimin e seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj një gruaje me inicialet N.M e cila ishte arrestuar për drejtim të parregullt të makinës.

Gjithashtu Bardhi Koçi akuzohet se ka marrë përfitime të parregullta nga R.G me qëllim ushtrimin e ndikimit tek ekspertët e policisë për ta nxjerrë të pastër sa i takon hetimit se kishte qenë nën efektin e drogës teksa drejtonte automjetin.

Ndaj Bardhit dhe Meshit rëndon akuza e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek funksionarët publikë. Vetë avokati i ka mohuar më herët këto akuza duke thënë se nuk kishte gjyqtar që korruptohet me 1 mijë euro. Versus.al

 

Poll