Policia britanike ka arrestuar katër persona në rajonin e Midlands, si pjesë e një hetimi për një seri vjedhjesh të organizuara dhe me vlerë të lartë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Midis të arrestuarve janë tre shtetas shqiptarë dhe një grua 33-vjeçare britanike.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim nga disa forca policore rajonale, përfshirë Cheshire, Staffordshire, Derbyshire dhe Nottinghamshire. Arrestimet janë bërë në adresa të ndryshme në Walsall, Sutton Coldfield dhe Birmingham. Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar çanta dhe sende të tjera me vlerë të konsiderueshme.
Sipas mediave britanike, hetimi lidhet me 37 raste vjedhjesh të dhunshme të ndodhura ndërmjet tetorit 2024 dhe marsit 2025, me dëme që kapin vlerën totale mbi 1 milion paund. Të dyshuarit akuzohen për vjedhje me forcë dhe ndodhen aktualisht në paraburgim. /Versus.al/







