AKTUALITET /

’21 janari’/ Paraqitet në SPAK ish-zv.drejtori i Policisë, Agron Kuliçaj: Shpjegova veprimet e policisë ditën e ngjarjes (VIDEO)

Dje Burgaj dha sqarime për rolin e efektivëve të policisë në raport me protestuesit gjatë protestës së 21 janarit, 2011.

Shkruar nga Versus
’21 janari’/ Paraqitet në SPAK ish-zv.drejtori i Policisë,
Momenti kur Kuliçaj hyn në ambientet e SPAK

Tiranë- Agron Kuliçaj, ish-zëvendës drejtori i Policisë së Shtetit është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për t’u marrë në pyetje lidhur me vrasjet e protestuesve të ndodhura më 21 janar 2011 para kryeministrisë që asokohe drejtohej nga Sali Berisha.

“Shpjegova të gjitha veprimet e policisë ditën e ngjarjes”- ka qenë deklarata që bëri për gazetarët Kuliçaj menjëherë pas daljes nga SPAK, duke konfirmuar se është pyetur pothuajse për të njëjtat gjëra si ish-eprori i tij Burgaj.

Paraqitja e Kuliçajt në SPAK vjen një ditë pasi ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj u pyet mbi veprimet e efektivëve të policisë gjatë protestës ku pati 4 të vdekur nga radhët e protestuesve. Ai foli për mediat dhe bëri me dje se kishte dhënë sqarime për rolin e policisë ditën e protestës duke nënvizuar se të gjithë efektivët kanë duruar dhunë ekstreme të ushtruar nga protestuesit dhe se nuk kishin përdorur dhunë apo armë ndaj tyre.

SPAK po heton sërish vrasjet e 21 janarit, për të cilat është dënuar më herët ish-komandanti i Gardës Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardisti Agim Llupo me 3 vite burg.

Pas vendimit të Strasburgut në përgjigjie të kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, një prej protestuesve të vrarë, Gjykata e Lartë kërkoi rihapjen e çështjes dhe hetimin e saj nga SPAK. Deri më tani, provë e re mbi ngjarjen është një audiopërgjim ku dëgjohet komandanti i Gardës Ndrea Prendi i cili urdhëron vartësit e tij që të hapin zjarr luftarak nëse protestuesit kalojnë telin me gjemba para kryeministrisë me arsyetimin se kishte urdhër nga lart.

Prokurorët e SPAK po hetojnë mbi përfshirjen e zyrtarëve më të lartë në urdhrin e dhënë për të hapur zjarr ndaj protestuesve të cilët humbën jetën në protestën e 21 janarit ku kërkohej dorëheqja e Sali Berishës si kryeministër dhe e Ilir Metës si zv.kryeministër pas videos së publikuar nga Dritan Prifti ku Meta shfaqej duke thënë se kishte marrë rryshfet 700 mijë euro. Versus.al



Poll