Kuvendi i Kosovës vazhdon të mos arrijë të zgjedhë kryetarin e ri, pasi ka dështuar për herë të 24 seanca konstituive e legjislaturës së nëntë.
Ashtu si në seancat e kaluara, kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), NISMA dhe Lista Serbe që të propozojnë anëtarët për komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë. Megjithatë, këto parti refuzuan të japin emrat e tyre.
Pas refuzimit, Dehari hodhi në votim propozimin për formimin e këtij komisioni, por ai nuk mori votat e mjaftueshme. Seanca pritet të vazhdojë të hënën në ora 10:30.
Kandidatura e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa është Albulena Haxhiu e cila nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për zgjedhje.
Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa insistojnë se nuk është e nevojshme një marrëveshje politike për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe kërkojnë votim të fshehtë. Ndërkohë, PDK, LDK, AAK dhe NISMA janë kundër kësaj forme, duke argumentuar se seanca ka filluar me votim të hapur dhe se kështu duhet të vazhdohet. /Versus.al/







