Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me lëndë plasëse që ndodhi në orët e para të mëngjesit në Tiranë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 01:50 në rrugën “Vasil Ndocka”, ku një sasi tritoli ishte vendosur në një automjet të parkuar, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti ishte në pronësi të 36-vjeçarit Oltjon Klosit, i cili jeton mes Shqipërisë dhe Spanjës. Dyshohet se aktiviteti i tij në Spanjë mund të jetë një nga pistat e hetimit për motivin e vendosjes së lëndës plasëse.
Burime bëjnë me dije se Klosi rezulton me precedent penal për konflikte të mëparshme. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar.
Ndërkohë, autori i dyshuar është fiksuar nga kamerat e sigurisë në momentin kur vendos lëndën plasëse në automjet. Sipas pamjeve, ai ka mbërritur në vendngjarje me biçikletë dhe është larguar menjëherë po me biçikletë pas vendosjes së tritolit.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa po verifikohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes./Versus.al


