AKTUALITET /

469 kg drogë nga Meksika në Britani, dy 'korrierët' shqiptarë dënohen me 40 vite burg

Shkruar nga Versus
469 kg drogë nga Meksika në Britani, dy 'korrierët'
Elton Hallaçi dhe Artur Iseberi

Britani e Madhe- Dy shqiptarë janë dënuar si pjesë e një grupi kriminal që transportonte kokainë nga Meksika në Mançester.

Hetimi u zhvillua nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), e cila zbuloi një rrjet që sillte sasi të mëdha droge nga Meksika drejt Britanisë.

Të dënuarit shqiptarë janë Elton Hallaçi, 32 vjeç dhe Artur Iseberi, 27 vjeç, të cilët sipas autoriteteve ishin pjesë e grupit që merrte drogën në aeroport dhe e shpërndante më pas në rrjetet kriminale në të gjithë vendin. Autoritetet britanike zbuluan se bashkë me ta u përfshinë edhe dy britanikët Dale Hosker, 49 vjeç, dhe Dale Creen, 35 vjeç.

Hallaçi u dënua me 21 vite e 7 muaj burg, ndërsa Artur Iseberi u dënua me 18 vite burg. Për britanikun Hosker u caktua dënim më i ulët, 11 vite burg, ndërsa për Creen vendimi do jepet në qershor. 

Anëtarët e grupit kriminal, merrnin ngarkesat e kokainës nga korrierë amerikanë që mbërrinin në Britani nga Kankuni i Meksikës. Në maj të vitit 2024, tetë valixhe me kokainë mbërritën në Aeroportin e Mançesterit, ndërsa korrierët vepronin sipas udhëzimeve të një personi të identifikuar si “Nate”.

Një prej valixheve u la pas në aeroport, çka ngriti dyshimet e oficerëve kufitarë. Gjatë kontrollit u zbuluan 20 pako me nga një kilogram kokainë secila. Hetimet e mëtejshme të NCA-së zbuluan se grupi i shqiptarëve kishte marrë rreth 100 kilogramë drogë nga kjo ngarkesë.

Vetëm pak javë më vonë, më 31 maj 2024, autoritetet zbuluan një tjetër operacion kontrabande ku 300 kilogramë kokainë me pastërti të lartë, me vlerë rreth 24 milionë paund, u futën në Britani përmes 12 valixheve. Gjatë kontrolleve në banesën e Elton Hallaçit, hetuesit gjetën çelësa të një automjeti tip Jaguar, brenda të cilit ishte ndërtuar një hapësirë e fshehtë profesionale për transport droge. Po ashtu, u sekuestruan blloqe shënimesh me të dhëna të detajuara për importet e drogës, të shkruara në gjuhën shqipe dhe me gjurmë gishtash të Hallaçit dhe Iseberit. Versus.al

Poll