Prokuroria e Posaçme ka reaguar lidhur me deklaratat e bëra më herët nga Berisha se një agjent i SHISH ka dorëzuar në SPAK një kallëzim për Pandeli Majkon ku sipas tij deputeti shfaqet në një përgjim me trafikantë droge për blerje votash.
Në reagimin e institucionit thuhet se janë kryer të gjitha verifikimet mbi pretendime të tilla dhe nuk ka asnjë procedim penal për Majkon dhe as një kallëzim të tillë ndaj tij.
Ditë më parë pasi kryeministri Edi Rama hoqi Pandeli Majkon si drejtues politik të qarkut të Kukësit, Sali Berisha tha para mediave se Majko ishte përgjuar rastësisht nga Shërbimi Informativ Shtetëror në një tavolinë me trafikantë droge ku flitej për blerje votash.
Kryedemokrati shkoi edhe më tej teksa tha se agjenti i SHISH kishte dorëzuar një kallëzim në SPAK për Majkon. Ky i fundit reagoi duke thënë se është i gatshëm të heqë dorë nga imuniteti si deputet dhe të hetohet nëse ekziston një kallëzim i tillë. Versus.al








