Pas mesnatës së mbrëmshme është zhvilluar një operacion nga kapiteneria e Portit të Durrësit pas thirrjes për ndihmë nga një anije turistike që lundronte pranë ujërave shqiptare.
Kroçiera “Marbella Explorer II” kërkoi ndihmë rreth orës 23:50, teksa ndodhej rreth 20 milje larg Durrësit. Thirrja e tyre ishte emergjente pasi në bord ndodhej një shtetas anglez në gjendje të rënduar shëndetësore.
I moshuari kishte shfaqur simptoma serioze që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme spitalore. Anija po lundronte nga Korfuzi drejt Kotorrit dhe menjëherë pas sinjalizimit u udhëzua nga Kapiteneria e Portit të Durrësit që të afrohej në radën e portit shqiptar për evakuimin e të sëmurit.
Rreth orës 02:30, shtetasi anglez me iniciale C. P. mbërriti në spital nën kujdesin e mjekëve, ku vijon të marrë trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Versus.al

