Një telefonatë anonime për vendosje bombe në ambientet e hotelit “Plaza”, një nga strukturat më të njohura në zemër të Tiranës, ka vënë në alarm forcat e rendit dhe ka shkaktuar panik në zonë.
Burime zyrtare nga Policia e Shtetit për Versus.al bëjnë me dije se menjëherë pas marrjes së telefonatës, zona përreth hotelit është rrethuar, ndërsa forcat xheniere ishin në vendngjarje për të bërë verifikimet e nevojshme.
Sipas informacioneve hoteli është evakuuar dhe nuk janë zbuluar gjurmë të ndonjë pajisjeje të dyshuar shpërthyese.
Ngjarja ndodhi në orët e pasdites dhe sipas të dhënave të para, telefonuesi anonim ka pretenduar se një bombë ndodhet brenda ambienteve të hotelit “Plaza”.
Nga kontrolli i ndërtesës nuk është gjetur asgjë e dyshimte dhe alarmi dyshohet të jetë fals. Zona pranë hotelit ndërkohë është rrethuar.
“Rreth orës 19:35, në Sallën Operative të DVP Tiranë ka telefonuar një punonjëse e stafit të një hoteli në rrugën “Abdi Toptani”, me pretendimin se dikush i panjohur e ka njoftuar për vendosjen e një sasie eksplozivi në parkimin e këtij hoteli.
Menjeherë në vendngjarje ka shkuar forca të shumta policie të cilët kanë bërë rrethimin e zonës dhe evakuimin e personave të hotelit. Gjithashtu janë njoftuar forca xheniere për kontrollin dhe verifikimin e informacionit.
Në përfundim të kontrollit dhe veprimeve hetimore do të keni një informacion me të detajuar për rastin.”-njofton policia.
Kjo nuk është hera e parë që kryeqyteti përballet me alarme për bombë, megjithatë autoritetet po punojnë për të zbuluar origjinën e telefonatës dhe identitetin e personit që ka dhënë alarmin. /Versus.al/







