
Pak orë pas operacionit të SPAK ku u lëshuan 20 masa sigurie për 2 grupe kriminale, pjesë e të cilëve ishin edhe biznesmenë të njohur, policia greke njoftoi arrestimin e biznesmenit Ilir Shtufi në Selanik.
Në detajet e dhëna ditën e sotme, autoritetet bëjnë me dije se Shtufi kishte mbërritur në Selanik në orët e para të së premtes dhe po qëndronte në një hotel në momentin kur u arrestua.
“Një i huaj u arrestua dje, më 12 qershor 2026, në Selanik, ndaj të cilit po zhvilloheshin kërkime ndërkombëtare në një vend fqinj për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe pastrim parash. Arrestimi u krye nga oficerët e policisë së Nën-Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar të Greqisë Veriore, pas përdorimit të informacionit të marrë nëpërmjet Shoqatës së Policisë Greke dhe aktivizimit të kanaleve të bashkëpunimit ndërkombëtar policor të Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor të Shtabit të Policisë Helene (INTERPOL). Hetimi zbuloi se personi i lartpërmendur kishte hyrë në vendin tonë në orët e para të së njëjtës ditë nga një stacion kufitar në Greqinë Veriore. Shërbimet policore kompetente u mobilizuan menjëherë, në kuadër të të cilave ai u lokalizua në një hotel në Selanik dhe u shoqërua për ekzaminim të mëtejshëm”- thuhet në njoftim.
Shtufi dyshohet se pastronte paratë e pista të Artur Koçekut, kreut të grupit kriminal që investonte në ndërtimin e kullave apo të vilave të ndryshme me qëllim fshehjen e prejardhjes së tyre. Versus.al

