Një bandë shqiptarësh është shkatërruar ditën e sotme nga policia italiane, pasi kryenin vjedhje nëpër banesa me vlera të larta monetare.
Në pranga janë vënë 4 persona, si autor të më shumë se 20 vjedhjeve që janë kryer nga dhjetori 2021 deri në janar 2022.
Mediat italiane bëjnë me dije se shqiptarët ishin të gjithë me banim në Pavia, ndërsa vjedhjet e kanë kryer në zonat Pavia, Alessandria, Savona dhe Lodi. Ata vidhnin një sasi të madhe malli që përbëhej nga sende të çmuara, me vlerë disa mijëra euro.
Një tjetër anëtar i bandës u arrestua më parë në mars 2022, me ndihmën e policisë kufitare, i alarmuar nga njësia hetimore e Pavias, teksa po përpiqej të kthehej në mënyrë klandestine në Shqipëri me një kamion në portin e Ankonës.
Tashmë gjyqtari i hetimeve paraprake të gjykatës së Pavias ka lëshuar masën e paraburgimit në burg ndaj anëtarëve të tjerë të bandës, duke i bërë ata përgjegjës për rreth 20 vjedhje banesash. Urdhër i cili u zbatua në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje.







