Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i dështuar i ndodhur më 17 prill në zonën e Lundrës, në periferi të Tiranës, ku si pasojë e një breshërie plumbash mbetën të plagosur katër persona, përfshirë dy të mitur.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se motomjeti i përdorur nga autorët, i cili u largua me shpejtësi nga vendngjarja, është gjetur i djegur në fshatin Fikas të Mulletit, disa ditë pas ngjarjes. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në mbetjet e motorit janë identifikuar elementë me vlerë hetimore, përfshirë numrin e shasisë, i cili pritet të ndihmojë në gjurmimin e pronarit apo personave që kanë pasur në përdorim mjetin.
Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka dërguar një kërkesë zyrtare kompanisë “Yamaha”, për të marrë të dhënat mbi historikun e shitjes së këtij motomjeti, si një hap drejt identifikimit të autorëve të mundshëm.
Ndërkohë, hetuesit po analizojnë profilin e ADN-së të gjetur në disa sende pranë vendit të ngjarjes, për të përcaktuar nëse ato përkasin autorëve të atentatit. Ekspertiza biologjike është në vijim, dhe krahasimet janë duke u bërë me të dhëna të individëve të dyshuar në të kaluarën për ngjarje të ngjashme.
Të plagosurit dhe enigma e shënjestrës
Ngjarja tronditi opinionin publik për shkak të prezencës së të miturve në automjetin e qëlluar. Të plagosur mbetën 11-vjeçari Dior Demiraj, 17-vjeçari Marko Demiraj, të dy djemtë e Vesel Bardhi Demiraj, pronar i kompanisë së sigurisë private “Pelikan Security”, si dhe 19-vjeçari Kian Mullaj dhe Arenc Stafa, drejtuesi i automjetit tip “Mercedes G-Class”.
Sipas burimeve të hetimit, asnjëri prej të plagosurve nuk rezulton të ketë qenë shënjestra e drejtpërdrejtë e atentatit, duke shtuar edhe më shumë mister mbi motivet e autorëve dhe personin që mund të ketë qenë objektivi real.
Pavarësisht përparimeve në hetim, nuk ka ende të arrestuar apo persona të shpallur në kërkim, ndërsa pista e hetimeve mbetet e hapur, përfshirë konflikte të mundshme të mëparshme të familjarëve të të plagosurve apo ngatërrese në objektiv. /Versus.al/







