Një autobot i kompanisë së njohur të karburanteve “Eida”, me rreth 6000 litra benzinë, është kapur në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Himarë, duke furnizuar mjete lundruese pa lëshuar fatura fiskale.
Sipas policisë, mjeti po shiste karburant në mënyrë të paligjshme në portin e Himarës, duke mos përdorur pajisje fiskale, në shkelje të ligjit për fiskalizimin.
Kompania “Eida”, një nga më të mëdhatë në tregun shqiptar të hidrokarbureve, është në pronësi të biznesmenit Frident Kuqi – një emër i njohur për publikun dhe me të kaluar të përfolur në drejtësinë shqiptare.
Bazuar në informacione operative, efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë organizuan një kontroll në portin e Himarës, ku konstatuan aktivitetin e jashtëligjshëm të furnizimit me karburant të mjeteve detare nga përfaqësuesit e kësaj kompanie.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ku nisi procedimi penal për shtetasit S.K., 40 vjeç, banues në Krujë, administrator i karburantit dhe M.R., 51 vjeç, banues në Himarë, menaxher i karburantit që kishte nxjerr benzinën.
Njoftimi i plotë i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë:
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, të DVP Vlorë, pas marrjes së informacioneve, se në portin e Himarës, një subjekt për shitjen e hidrokarbureve po kryente veprimtari të paligjshme, organizuan punën dhe ushtruan kontroll në këtë subjekt.
Gjatë kontrollit, u konstatua se përfaqësuesit e këtij subjekti po ju shisnin pronarëve/përdoruesve të mjeteve lundruese që ndodheshin në këtë port, rreth 6000 litra benzinë, me autobot, pa pajisje fiskale automatike, në kundërshtim me ligjin për fiskalizimin.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ku nisi procedimi penal për shtetasit S. K., 40 vjeç, banues në Krujë, administrator i karburantit dhe M. R., 51 vjeç, banues në Himarë, menaxher i karburantit, në Himarë. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Versus.al







