AKTUALITET /

Bosët e drogës para GJKKO-së për masat e sigurisë: zbulohet emri i biznesmenit të shpallur në kërkim

I kërkuari Elidon Skëndaj, i njohur dhe me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj Dyshohet se ai fshihet dhe eshte strehuar ne Dubai.

Shkruar nga Versus

Bosët e drogës para GJKKO-së për masat e sigurisë:

Të akuzuarit për trafik droge në Europë janë paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për t’u njohur me masat e sigurisë. Gjyqtari Erjon Bani vendosi shtyrjen e seancës me një orë, pas kërkesës së avokatëve për kohë që të studiojnë aktet e dosjes.

Para trupit gjykues dolën dy vëllezërit biznesmenë Klevis dhe Artur Hoxhosmani, Ilir Lloshaj dhe bosi i klubit të natës ‘Cinco Cavalli’, ndaj të cilëve është caktuar masa e arrestit me burg.

Po ashtu, në GJKKO do të njihen me masat e sigurisë edhe dy ish-ortakët e tyre, Erion Alibej dhe Plaurent Dervishaj, aktualisht në burg për dosjen “Plumbi i Artë”.

Ndërsa personi i shpallur në kërkim dyshohet se ndodhet në Dubai. Bëhet fjalë për biznesmenin Elidon Skëndaj, i njohur edhe me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj, pronar i një bar-kafeneje në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë dhe i kompanisë ndërtimore Erking shpk.

Hetimet zbuluan se grupi kriminal vepronte gjatë viteve 2020-2021 në disa vende të Europës, duke trafikuar kokainë dhe hashash nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Droga transportohej fshehur në konteinerë, paleta druri, kuti bananesh dhe thasë me kakao. Gjatë periudhës së hetimit u dokumentuan dhjetëra raste trafikimi dhe sekuestrimi, me më shumë se 6 ton drogë të kapur, me vlerë rreth 411 milionë euro.

Drejtuesit e grupit lëviznin midis vendeve të BE-së dhe Britanisë së Madhe, duke komunikuar përmes platformës së koduar “Sky ECC” dhe duke shkatërruar telefonat kur dyshonin për kapjen e drogës. Falë bashkëpunimit me autoritetet franceze, SPAK arriti të zbërthejë këto biseda dhe të godasë grupin.

Ermir Ndreaj, i njohur si Cinco, u arrestua teksa po pushonte në një skaf luksoz në Palasë. Gjatë operacionit u kryen kontrolle në vilën e tij në jug të vendit dhe në një apartament luksoz në Tiranë. Në Palasë u arrestuan edhe vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, ndërsa Ilir Lloshaj u kap në Elbasan.

Nga aksioni u sekuestruan 43,470 euro, 5,000 franga zvicerane, tre makina, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63 luksoz, si dhe një skaf i prodhuar në vitin 2025.

Gjithashtu u gjetën orë luksoze Rolex dhe Richard Mille, 16 telefona celularë, 19 karta bankare ndërkombëtare dhe të dhëna për llogari bankare në Dubai, Gjermani, Itali dhe Panama. U sekuestruan gjithashtu një dron profesional, tetë hard disqe dhe pajisje të tjera elektronike të avancuara. Në shtëpinë e Artur Hoxhosmanit u gjetën edhe tre pistoleta pa leje./Versus.al

Poll