Një zhvillim i papritur ka ndodhur gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku u lirua menjëherë shtetasi Ilir Lloshi, i ndaluar gjatë operacionit të fundit të SPAK për trafik ndërkombëtar droge.
Sipas burimeve zyrtare, Lloshi rezultoi të ishte ndaluar gabimisht, pasi kishte gjeneralitete dhe vendbanim të ngjashëm me një tjetër person të dyshuar si pjesë e grupit kriminal.
Gjatë seancës gjyqësore, Lloshi mohoi çdo përfshirje në veprimtari kriminale:
“Nuk kam lidhje me këto punë, s’kam dalë asnjëherë jashtë shtetit,” – tha ai para trupës gjykuese.
Ballafaqimi i tij në sallë me bashkëpunëtorin e drejtësisë, Erion Alibej, si dhe krahasimi i fotove, konfirmoi se nuk bëhej fjalë për të njëjtin person që dyshohej në këtë çështje.
Ndërkohë, GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për pesë persona të tjerë të përfshirë në dosjen hetimore:
Artur Hoxhosmani
Klevis Hoxhosmani
Ermir Ndrejaj
Erion Alibej (bashkëpunëtor i drejtësisë)
Plarent Dervishaj
Gjatë seancës me dyer të mbyllura, vëllezërit Hoxhosmani mohuan akuzat dhe pretenduan se nuk kanë përdorur aplikacionin SKY ECC, përmes të cilit është dokumentuar veprimtaria e grupit.
Ermir Ndrejaj kërkoi një masë më të butë sigurie, duke deklaruar se vuan nga një sëmundje e rëndë dhe se pozita e tij duhet sqaruar më tej në vijim të hetimeve.
Ndërsa Plarent Dervishaj, sipas burimeve, është larguar nga salla e gjyqit përpara shpalljes së vendimit, pasi u paralajmërua nga trupi gjykues të mos fliste pa leje.
Grupi zbuluar nga SKY ECC dhe dëshmia e Erion Alibejt
Grupi kriminal dyshohet se është zbuluar jo vetëm përmes komunikimeve të përgjuara në aplikacionin e enkriptuar SKY ECC, por edhe falë deklarimeve të bashkëpunëtorit të drejtësisë Erion Alibej, i cili ka ofruar informacion të detajuar mbi përfshirjen e secilit anëtar në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.Versus.al







