AKTUALITET /

“Burri më shiti në duart e 'urithëve' virtualë”: Dëshmia tronditëse e një gruaje që ju publikua fotoja në grupin pervers

Mbi 30.000 burra shpërndanin në rrjet foto intime të grave pa dijeninë e tyre. Grupi “Mia Moglie” mbyllet nga FB pas denoncimeve publike

Shkruar nga Versus

“Burri më shiti në duart e 'urithëve'

Një grua italiane ka rrëfyer një nga përvojat më shkatërruese të jetës së saj: bashkëshorti e kishte ekspozuar në mënyrë anonime me foto intime në një grup Facebook me mbi 32.000 burra, pa dijeninë apo pëlqimin e saj. Ky grup, i quajtur “Mia Moglie” (Gruaja Ime), është mbyllur së fundmi nga Meta pas një vale denoncimesh publike për shpërndarje të paligjshme të imazheve private të grave.

 “Ishte shtrati im. Ishte dhoma ime. Isha unë.”
«E kisha dëgjuar për ditë me radhë për këtë grup. Kur hyra nga kurioziteti, nuk e besoja çfarë shihja: komente neveritëse nga burra, shumë prej tyre emra të njohur në qytetin tim – profesionistë, madje edhe zyrtarë të shtetit», rrëfen gruaja.

Por ajo që e tronditi më shumë ishte kur, duke lëvizur ndër postimet e vjetra të grupit, pa një foto të vetes, në shtratin e saj, në një moment privat.

“Burri më shiti në duart e 'urithëve'

«Ishte dhoma ime, shtrati im, sendet e mia përreth. Nuk kishte emër, por ishte e qartë që isha unë. Kam mbetur pa frymë. Ai që kishte postuar ishte “pjesëmarrësi anonim 127” – ishte burri im. Ai jo vetëm që më kishte fotografuar fshehurazi, por edhe komentonte bashkë me të tjerët. Pashë 32 mijë palë sy mbi trupin tim. Ishte një dhunë e dytë mbi një plagë që nuk kishte shëruar kurrë plotësisht.»

Përballja

Kur bashkëshorti i saj u kthye në shtëpi, ajo e priti me telefonin mbi tavolinë dhe foton hapur.

«I thashë: Ja ku je, ja ku jam. A të kam pëlqyer sa për të më dhënë në publik? U hutua, nuk foli, pastaj tha “po luaja”. I thashë: me çfarë po luaje? Me trupin tim? Me dinjitetin tim? I kërkova të largohej menjëherë nga shtëpia. Më tradhtoi si grua, më shkatërroi si njeri.»

Ajo tregon se aktualisht është në proces për të ngritur kallëzim penal, për të nisur procedurat e ndarjes, dhe për të mbrojtur adoleshentët e saj nga kjo traumë.

«Ai e dinte shumë mirë çfarë kisha kaluar. Më kishte qëndruar pranë kur kisha dalë nga një histori dhune në të kaluarën. Më kishte ndihmuar. Dhe më pas… ai vetë u bë dhunuesi im, me këtë formë të re, moderne, të përdhunimit – përdhunimit virtual.»

“Unë nuk jam viktimë e përjetshme” – mbyll rrëfimin e saj gruaja.
«Do e çoj këtë çështje deri në fund. Jo vetëm për veten time, por për të gjitha gratë që heshtin.»

“Burri më shiti në duart e 'urithëve'

“Mia Moglie” – Skandali që tronditi Italinë
Grupi “Mia Moglie”, i hapur në Facebook që nga viti 2019, kishte mbledhur mbi 32.000 burra që ndanin foto të grave të tyre, shpesh në mënyrë anonime, pa dijeninë ose pëlqimin e tyre. Fotot ishin zakonisht intime, të bëra në shtëpi, në dhoma gjumi, banja apo në çaste të përditshme, dhe më pas komentoheshin publikisht në mënyrë seksiste dhe poshtëruese.

Shumë prej grave ishin bashkëshorte, por edhe mike, motra apo kolege. Këto imazhe cilësohen si “të vjedhura”, të bëra pa leje dhe pa vetëdije.

Denoncimi që bëri jehonë në rrjet
Ishte shkrimtarja dhe aktivistja italiane Carolina Capria ajo që denoncoi publikisht ekzistencën e grupit në Instagram, duke e quajtur ngjarjen “një përdhunim virtual”.

Pas denoncimeve masive, Meta (Facebook) vendosi të mbyllë përfundimisht grupin, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të politikave të platformës kundër shfrytëzimit seksual.

Por sipas Il Corriere della Sera, pjesëtarët e grupit janë zhvendosur në Telegram, në një kanal më të vogël dhe më të fshehtë, duke vijuar veprimtarinë në mënyrë të maskuar.

Shumë gra që zbuluan se ishin viktima të këtij grupi, shprehën dhimbjen e tyre në rrjete sociale, veçanërisht në grupin italian “Alpha Mom”, i përbërë nga nëna dhe gra të reja.


Shumë prej tyre u shprehën se ndiheshin të turpëruara, të poshtëruara dhe të tradhtuara nga partnerët e tyre, ndërsa kërkojnë drejtësi dhe dënim për fajtorët.

Kjo histori shënon një nga rastet më të rënda të shkeljes së privatësisë dhe dhunës dixhitale ndaj grave në rrjetet sociale.
Avokatë dhe aktivistë për të drejtat e grave po kërkojnë dënime penale për publikimin e imazheve pa leje dhe krijimin e mekanizmave më të fortë për të mbrojtur viktimat në mjediset dixhitale.



Poll