AKTUALITET /

Del FOTO e të riut që vrau me thikë kushëririn në Klos! Pas krimit u fsheh në shtëpinë e vëllait

Dyshohet se e gjithë ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një sherri për motive të dobëta mes autorit dhe kushëririt të tij të moshuar.

Shkruar nga Versus
Del FOTO e të riut që vrau me thikë kushëririn në Klos!
Autori, Hazbi Velsula

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Xibër të Klosit ku u gjet i vrarë me thikë 65 vjeçari Selim Velsula.

Fillimisht viktima është konfliktuar fizikisht me autorin, kushëririn e tij Hazbi Velsula 32 vjeç, për shkaqe të dobëta. Pas kësaj, i riu e ka goditur disa herë me thikë duke e lënë të vdekur në vend.

Policia ka marrë një telefonatë nga motra e autorit i cili ishte strehuar në banesën e vëllait në zonën e Alliasit në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 11.06.2025, në fshatin Xibër-Murrizë, ku pranë pronës së tij u gjet pa shenja jete dhe me dëmtime në trup të shkaktuara me mjet prerës, shtetasi S.V., 65 vjeç, banues në këtë fshat, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorit përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u zbardh dinamika e ngjarjes. Nga veprimet e kryera, dyshohet se shtetasit H.V. dhe S.V. fillimisht janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta dhe më pas shtetasi H.V. e ka goditur me armë të ftohtë (thikë) shtetasin S.V., duke i shkaktuar vdekjen.

Po në vijim të veprimeve, falë një informacioni të marrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë për vendndodhjen e autorit të dyshuar, shërbimet e DVP Tiranë kapën në lagjen Allias dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin H.V., 32 vjeç, banues në Allias, i cili pas krimit ishte strehuar në banesën e vëllait.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua arma e ftohtë (thikë), që dyshohet se është përdorur nga autori.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Versus.al

Poll