
Prokurori i SPAK, Behar Dibra është larguar nga salla e gjyqit për dosjen “Plumbi i Artë” ku po dëshmon për herë të parë i penduari i tretë i drejtësisë Skerdi Tase i cili rrëfeu për atentatet e planifikuara për vrasje në Fier.
Shkak u bë fakti sepse trupa gjykuese e ndaloi prokurorin e SPAK që t’i bënte pyetje të penduarit të drejtësisë.
Më herët, Tase rrëfeu sesi Henrik Hoxha i njohur si bashkëpunëtor i vrasësit me pagesë Nuredin Dumani, e kishte vënë në provë nëse ishte i aftë të vriste para se të kryenin atentatin e dështuar ndaj tregtarit të naftës në 2017-ën.
“Henrik Hoxha qëndronte gjithmonë i armatosur, pinim alkol me të, takoheshim shpesh, disa herë mund të hapte dhe xhamin e makinës dhe qëllonte në ajër, e kam parë duke qëlluar, unë nuk mbaj mend të qëlloja ndonjëherë në prezencë të tij. Henriku donte të më vinte në provë nëse jam i aftë të kryeja vrasje para se të shkonim tek Agim Boriçi. Kishim rënë dakort që edhe Henriku nëse do duhej do ishte gati për të vrarë Aredin Beharin, edhe nëse do qëllonim nga makina në makinë”- u shpreh Tase mes të tjerash. Versus.al







