Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur mbrëmjen e djeshme qytetin e Memaliajt në Tepelenë, ku si pasojë ka humbur jetën 30-vjeçari Endri Goxhaj.
Nga ngjarja ka mbetur i plagosur rëndë edhe 25-vjeçari Dali Nela, vëllai i autorit të dyshuar, i cili ka marrë katër plumba: dy në mushkëri, një në bark dhe një në shpretkë.
Ai ndodhet në spital dhe po i nënshtrohet trajtimit mjekësor, ndërsa pritet të merret në pyetje pasi t’i dalë narkoza.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur para një lokali në qendër të Memaliajt, ku në rrethana ende të paqarta 29-vjeçari Donaldo Nela ka qëlluar me armë zjarri, duke lënë të vdekur në vend Endri Goxhajn. Dyshohet se ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti të hershëm dhe hasmërive të vjetra mes palëve.
Burime bëjnë me dije se përplasja ka nisur pas një sherri mes personave me konflikte të mëparshme, i cili më pas ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit.
Autori i dyshuar, i njohur edhe me pseudonimin “Tupja”, rezulton person me precedentë penalë. Ai përmendet gjithashtu si kontakti i fundit i Erald Muços, i zhdukur prej 15 qershorit 2025, dhe i njohur si shok i Aleksandër Sadikajt.
Pas ngjarjes, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje rreth 12 persona, mes tyre dëshmitarë dhe familjarë të të përfshirëve, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për shkaqet e konfliktit. Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për kapjen e autorit të dyshuar, i cili është ende në kërkim./Versus.al


