
Ish-drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, rezulton në qendër të një hetimi të gjerë të SPAK, ku dyshohet se ka përfituar dhe fshehur pasuri të paluajtshme në mënyrë të tërthortë, përmes personave të tretë dhe kontratave të konsideruara fiktive.
Sipas dosjes hetimore dhe materialeve të publikuara në emisionin “Në Shënjestër”, Karçanaj dyshohet se është pronare faktike e të paktën tre apartamenteve luksoze në Tiranë, të regjistruara formalisht në emra të ndryshëm individësh dhe subjektesh.
Apartamenti në rrugën “Dervish Hima”
Një nga pasuritë kryesore është një apartament me sipërfaqe 203.3 m² në rrugën “Dervish Hima”, i blerë për rreth 370 mijë euro. Sipas hetimeve, pronësia formale është kaluar përmes kompanisë “Fortis Beton Co”, pasi fillimisht shtetasi Genci Osmënaj ia ka shitur këtë pasuri kësaj kompanie.
Aktualisht, në këtë apartament banon vetë Mirlinda Karçanaj, e cila sipas SPAK ka nënshkruar një kontratë qiraje me shoqërinë “Fortis Beton Co” në shkurt 2025.
Megjithatë, hetuesit theksojnë se ajo e ka përdorur banesën edhe më herët se kontrata zyrtare, çka sipas tyre tregon se marrëveshja mund të jetë fiktive dhe e përdorur për të maskuar pronësinë reale.

Dëshmia e shoferit
Një element kyç i hetimeve është dëshmia e shoferit të saj, Florjan Bylyku, i cili ka deklaruar në SPAK se Karçanaj ka ndryshuar disa herë banesë gjatë viteve dhe se ai vetë ka qenë i përfshirë në transportimin e sendeve personale të saj në apartamentin pranë zonës së “Air Albania”.
Sipas tij, në fund të vitit 2024 dhe fillim të 2025, ai ka transportuar rrobat dhe sendet e saj në banesën e re, para se kontrata të formalizohej.
Zinxhiri i pronës në rrugën e Kavajës
Një tjetër apartament në rrugën e Kavajës është pjesë e një zinxhiri të ndërlikuar transaksionesh.
Fillimisht, prona është blerë nga Rafael Bistri për rreth 78 mijë euro nga Bledar Likaj. Më pas, Bistri ka lidhur dy kontrata huaje me shoqëritë “Forensic Lac” dhe “Fasttech”, e lidhur me Andis Papa, i cili ndodhet nën hetim nga SPAK.
Në vitin 2018, Bistri ia ka shitur apartamentin motrës së Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtor i AKSHI, i cili është përmendur në dosje për zhdukje të përkohshme në rrethana të paqarta.
Më pas, në vitin 2019, motra e Shimës ia ka shitur pasurinë nënës së Mirlinda Karçanaj, Gjinovefa Karçanaj, për rreth 50 mijë euro, shumë që sipas hetuesve është ndjeshëm më e ulët se vlera reale e tregut.
Rafael Bistri, i marrë në pyetje nga SPAK, ka deklaruar se nuk kujton detaje të transaksioneve, por më pas ka pranuar se ka marrë 80 mijë euro hua nga persona të tjerë të lidhur me Erisa Mallellari dhe Andis Papa, duke përmendur gjithashtu emrin e Ermal Beqirit në kontekste takimesh dhe transaksionesh financiare.
Dyshimet për burimin e parave
SPAK konkludon se vlera reale e një prej transaksioneve mund të ketë qenë rreth 60 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër e deklaruar në dokumente është mbuluar me pagesa “cash”, që dyshohet se lidhen me të ardhura të paligjshme.
Sipas prokurorisë, Mirlinda Karçanaj dyshohet se ka paguar shuma të konsiderueshme në para fizike, të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e deklaruara.
Akuzat dhe përfitimet e dyshuara
Në dosjen hetimore, SPAK pretendon se Karçanaj ka përfituar në mënyrë të tërthortë rreth 200 mijë euro përmes Arjola Koromanit dhe ndërmjetësimit të Daniel Shimës, si dhe përfitime të tjera në formë pagesash të fshehura dhe shuma monetare në dorë.
Gjithashtu, përmenden raste ku ajo dyshohet se ka marrë kuti vere të mbushura me euro (100, 200 dhe 500 euro), si dhe përfitime nga persona të lidhur me Ermal Beqirin dhe Ergys Agasin.
SPAK thekson se këto përfitime dyshohet se lidhen me ndikimin në procedura prokurimi gjatë kohës kur ajo drejtonte AKSHI, përfshirë favorizime për kompani të ndryshme në tendera publikë.
Sekuestrime dhe vijimi i hetimeve
SPAK ka sekuestruar pasuri dhe të ardhura të dyshuara si të përfituara në mënyrë të paligjshme, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë rrjetin e transaksioneve, ndërmjetësve dhe përfituesve të përfshirë në këtë çështje të gjerë korrupsioni.

