AKTUALITET /

'Çmontohet' rrjeti i lojërave të fatit në Milot dhe Laç: 3 persona përfundojnë në pranga! Pas operacionit jep dorëheqjen drejtori i Policisë!

Gjatë aksionit u zbuluan tre ambiente të përshtatura për veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit, të pajisura me makineta dhe tavolina pokeri.

Shkruar nga Versus

'Çmontohet' rrjeti i lojërave të fatit në Milot

Drejtori i Policisë së Lezhës, Islor Islami, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas një operacioni policor që çoi në zbulimin e disa ambienteve të përshtatura për lojëra fati në zonat e Laçit dhe Milotit.

Më herët, Policia e Shtetit finalizoi operacionin e koduar “Rastet”, i zhvilluar pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Gjatë aksionit u zbuluan tre ambiente të përshtatura për veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit, të pajisura me makineta dhe tavolina pokeri.

Sipas autoriteteve, në një nga këto ambiente është konstatuar gjithashtu edhe aktivitet i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Gjatë operacionit u sekuestruan 15 makineta lojërash fati, 3 tavolina pokeri, sasi e dyshuar kokainë, para cash dhe pajisje të ndryshme të përdorura për këtë veprimtari të paligjshme.

Në pranga përfunduan tre shtetas: Shkëlzen Preni, Dorjan Medha dhe Ylli Veseli, ndërsa një tjetër u procedua penalisht. Gjithashtu, Pjetër Lleshi u shpall në kërkim si i dyshuar në këtë aktivitet.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i koduar “Rastet”.

Operacioni u zhvillua pas informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Zbulohen në Milot dhe në Laç, 3 raste ku kishin përshtatur ambientet për lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri. 

Njëri prej ambienteve, gjithashtu i përshtatur për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 15 makineta, 3 tavolina për lojën “Poker”, sasi lënde narkotike Kokainë, shumë parash, si dhe sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Arrestohen 3 shtetas, procedohet penalisht 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 (pronarë dhe/ose administratorë të ambienteve).

Bazuar në informacionet e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për disa raste ku ishin përshtatur ambientet për zhvillimin e lojërave të fatit, me makineta dhe tavolina pokeri, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Rastet”.  

Gjatë operacionit u zbuluan 3 ambiente të përshtatura për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit, dhe u konstatua se te njëri prej tyre gjithashtu përdoreshin dhe shiteshin lëndë narkotike. Konkretisht, për këto raste:

-u arrestuan shtetasit Sh. P., 21 vjeç dhe D. M., 33 vjeç, dhe u procedua penalisht shtetasi S. Sh., 61 vjeç, pasi në një lokal në Laç, në pronësi të shtetasit të proceduar, subjekt i cili dyshohet se bashkadministrohej nga 2 të arrestuarit, u gjetën 8 makineta, 2 tavolina dhe sende të tjera për lojëra fati, si dhe sasi lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza;

-u arrestua shtetasi Y. V., 45 vjeç, pasi në lokalin e tij, në Milot, u gjetën 6 pajisje dhe sende me të cilat luheshin lojëra fati;

-u shpall në kërkim shtetasi P. Ll., 31 vjeç, pasi në një ambient në pronësi të tij, në Milot, u gjetën 2 makineta, 1 tavolinë dhe sende për lojëra fati. Punohet për kapjen e 31-vjeçarit.

Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie, vijojnë në subjekte dhe në ambiente të ndryshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

/Versus.al

Poll