
Pak ditë më parë u raportua në media një ngjarje shqetësuese, ku një vajzë 7-vjeçare u bë objekt i një tentative për rrëmbim.
E mitura është vajza e detektives private Shkënda Lili, e cila ndau më shumë detaje rreth incidentit gjatë një interviste në emisionin “Top Story”, ku foli edhe për sfidat e profesionit të saj.
Sipas rrëfimit të Lilit, ngjarja ndodhi në momentin kur ajo ishte ngjitur në banesë për t’i marrë një veshje të bijës, të cilën e kishte lënë vetëm për pak minuta. Teksa ndodhej në shtëpi, dëgjoi zilen e citofonit dhe, kur e hapi, dëgjoi zërin e vajzës së saj të tmerruar duke thirrur për ndihmë: "Mami, po më rrëmbejnë!"
Menjëherë ajo zbriti poshtë dhe u përball me situatën alarmante. Fatmirësisht, fqinjët dhe banorë të zonës kishin ndërhyrë dhe kishin ndaluar gruan që po e tërhiqte vajzën. Lili shprehet se bëhet fjalë për të njëjtën grua që tetë muaj më parë ishte kapur nga kamerat e një supermarketi duke marrë një fëmijë 2-vjeçar në rrethana të dyshimta.
Ngjarja ka ngjallur shqetësim të madh, ndërsa Lili thekson se ende nuk ka ndërmarrë një denoncim zyrtar, por paralajmëron se nëse personi në fjalë shfaqet sërish në lagjen ku ajo banon, nuk do të hezitojë të ndjekë rrugën ligjore.
Deklarata e Shkënda Lilit:
Është drejtuar tek vajza dhe e ka kapur prej krahu. Vajza është treguar pak e shkathët dhe duke qenë se unë i bëj leksione, i ka ikur. Kjo i ka shkuar nga pas derisa e ka kapur kamera e lokalit. Jo shumë larg e ka ndjekur, 1-2 metër. Vajza ka ikur me vrap. Kur e ka kapur e ka kapur me rrëmbim dhe ka pasur edhe shenja në krah. Ndërkohë që kemi thirrur dhe administratorin për të hapur edhe kamerat e zonës. Pyesim tek të gjithë njerëzit nëse e njihte dikush, askush nuk e njihte. Kemi hapur kamerat e zonës së kompleksit tim. Shikohet kur futet gruaja, në hyrjen e pallatit ku banonte. Në një moment kur është futur, gjë që është shumë dyshuese. Është futur dhe ka dalë përsëri për të kontrolluar nëse po e ndjek dikush. Ishte e vetëdijshme në mënyrën si është sjellë se diçka ka bërë. Administratori i atij pallati nuk e njihte. Kemi qëndruar deri në orën 10.00 të darkës për të parë nëse do dilte. Pastaj unë e mbylla aty. Ndërkohë me grupin e punës time kam qëndruar deri në 8 të mëngjesit. Nuk doli. Gjeta një mënyrë tjetër unë se thashë 'nuk duroj dot më'. Kisha dhe një agjente të Komisariatit nr.6 që ma kishin dërguar. Unë vendosa që të trokisja derë më derë. Policia më tha jo, por unë nuk duroja dot më. Në katin e 7, i bie derës së parë, nga tre hyrje, nuk hapet. Por hapet ashensori i katit, aty del një zotëri i veshur shumë mirë. I thashë "këtu banon në këtë kat, po më tha, i tregoj videon dhe i thashë e njeh këtë grua". Ai ishte bashkëshorti i zonjës. E pa videon, ishte zotëri. E them me plot gojë. U pre fare. U dridhte i tëri. Ishte punonjës policie në Komisariatin nr.3. U ulëm dhe tregoi historinë e bashkëshortes së tij. Banonin me qera aty ku ishin, shtëpinë e kishin në Astir, por u larguan për këtë fakt sepse ngacmonte shumë fëmijë. I merrte në krahë dhe i tërhiqte. Ai ishte shumë i trembur dhe me sytë me lot më tregonte. Fatmirësisht nuk ka ndodhur...edhe me rastin që është parë në shtator, ishte rasti i saj. Është e njëjta zonjë. Nuk është se i merr. Se edhe tek kjo video, direkt është kapur. E njëjta gjë ndodhi edhe me vajzën time që i është larguar me vrap. Ai (bashkëshorti) ishte shumë i shokuar. Ishte shumë fjalëpak. Mbasdite vjen djali i tyre, 27-vjeç, dhe aty u sqaruam shumë mirë me detaje dhe më tregoi çdo gjë. Më tregoi hallin që kishte. Ai tha 'ka shumë vite që vuan nëna jonë'. Nuk më takon ta them unë për problemet e saj. Por djali ishte i shqetësuar dhe disa herë kanë ndryshuar ambiente. Kanë kërkuar ndihmë, por askush nuk e ka marrë përsipër, vetëm i kishin dhënë mjekim. Unë denoncimin nuk e kam bërë, e kam zgjidhur mes familjarëve, por i kam thënë nëse e shoh edhe njëherë në zonën ku jetoj, atëherë do të bëj denoncim. /Versus.al







