
Tiranë- Ditën e nesërme një komision nga Drejtoria e Burgjeve do të mblidhet për të marrë vendim nëse M.P, 14 vjeçari që vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij M.C te shkolla “Fan Noli” do të dërgohet në qeli apo në spitalin e burgjeve.
I mituri, që prej 18 nëntorit po mjekohet në spital privat pasi ka marrë një plagë në dorë gjatë momentit të përleshjes me të miturin të cilit i mori jetën duke e goditur disa herë me thikë.
Të premten prokurorja dhe gjyqtarja e çështjes shkuan në spitalin privat ku po mjekohej i mituri për t’i bërë me dije masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e kryerjes së veprës penale “vrasje në rrethana cilësuese”.
Si pasojë e sherrit të ndodhur ku u vra 14 vjeçari, ka mbetur i plagosur nga goditjet me thikë edhe shoku i këtij të fundit i cili po merr ndihmë mjekësore në spital. Babai i tij deklaroi dje në një emision në “Euroneës Albania” se djali i kishte thënë se nuk ka qenë vetëm 14 vjeçari i arrestuar ai që i ka goditur me thikë dhe se në vendngjarje ka qenë edhe një tjetër i mitur i cili i ka sulmuar, por ende nuk është arrestuar nga policia.
Mbetet për t’u parë nëse këto deklarata do të provohen nga policia. Ndërsa ngjarja e rëndë ka shkaktuar tronditje në opinionin publik dhe jo vetëm. Kryeministri Edi Rama deklaroi se po mendonte marrjen e vendimit për mbylljen e rrjeteve sociale “TikTok” dhe “Snapchat” duke i konsideruar si të dëmshme për ndikimin që kanë drejt të miturive.
Ndërsa qindra qytetarë marshuan të premten nga vendngjarja deri në ministrinë e Arsimit ku kërkuan dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu. Ata bënë me faj institucionet shtetërore për mungesën e marrjes së masave të sigurisë në shkolla, ndërsa kanë lajmëruar se do të zhvillojnë një protestë të hënën në orën 17:00 para ministrisë së Arsimit ku do të kërkohet sërish dorëheqja e Manastirliut. Versus.al








