POLITIKË /

Vrasja e 14 vjeçarit, Rama paralajmëron 'masa drastike': Po mendojmë mbylljen totale të TikTok dhe Snapchat

Rama njoftoi nisjen e një turi konsultimesh me prindërit në shkolla mbi propozimin e mbylljes totale të këtyre 2 rrjeteve sociale.

Shkruar nga Versus
Vrasja e 14 vjeçarit, Rama paralajmëron 'masa drastike':
Kreu i qeverisë, Edi Rama në deklaratë për mediat

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ku e gjithë fjala e tij u përqendrua tek ngjarja e ndodhur të hënën në shkollën 9 vjeçare “Fan Noli” ku një nxënës 14 vjeçar u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij.

Rama e vuri theksin tek çoroditja që po u vjen fëmijëve të cilët kanë akses të palimituar në internet dhe rrjetet sociale, ndërsa përmendi disa prej shteteve ku janë vendosur filtra për të mos lejuar përdorimin e rrjeteve nga fëmijët nën 16 vjeç.

“Garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësi e përparësive tona. Shumë shtete po përpiqen të vendosin filtra mbrojtës por pa rezultate. Çdo prind është dëshmitar se presioni i tërheqjes së fëmijëve nga ekrani bëhet më i përballueshëm dhe nga ata.

Faktikisht janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme që nga Australia ku aktualisht po tentohet ndalimi i aksesit në rrjetet sociale të të gjithë fëmijëve deri në 16 vjeç deri te Franca që po aplikon si kusht lejen e dhënë nga prindërit për fëmijët. Përtej këtyre përpjekjeve dhe debateve lidhur me këto nisma, problemi ende i hapur mbetet mungesa e zbatimit të tyre si rezultat i vështirësisë në aspektin teknik që lidhet me disa faktorë”- u shpreh Rama.

Më tej ai deklaroi se qeveria që drejton është në dilemë nëse rrjetet sociale si “TikTok” apo “Snapchat” duhet të mbyllen totalisht apo të vendosen filtra për moshën e lejuar t’i përdorë. Për t’i dhënë fund kësaj dileme njoftoi se do të ketë një tur konsultimi me prindërit për t’i pyetur ata lidhur me këtë propozim.

“Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave ku në fakt nga të gjitha eksperiencat e deritanishme efektiviteti i tyre është shumë i ulët, ndërkohë që bullizmi vetëm rritet. Apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të TikTok apo snapchat. Kemi vendosur që këtë dilemë ta hedhim në diskutim të gjerë me prindërit”- shtoi kryeministri.

Kreu i qeverisë u kërkoi kundërshtarëve politikë që të mos e përdorin këtë tragjedi për luftën e brendshme politike, ndërsa tha se faji nuk qëndron vetëm tek institucionet shtetërore pasi me probleme të tilla përballen sot edhe vendet e zhvilluara të botës. Versus.al

 

 

Poll