Aktualisht, vetëm 27 emigrantë ndodhen në Qendrën e Paraburgimit për Riatdhesim në Gjadër, ndërsa e ardhmja e tyre mbetet e paqartë. Sipas mediave italiane, një vendim i fundit i Gjykatës së Romës ka ngritur shqetësime serioze për mungesën e kushteve të përshtatshme për kujdesin shëndetësor në këtë qendër, çka vë në dyshim vazhdimin e mbajtjes së emigrantëve aty.
Pas vendimit, kanë reaguar garantuesit italianë të të drejtave të personave të ndaluar, Valentina Calderone dhe Stefano Anastasia, të cilët vizituan kampin javën e kaluar dhe kërkuan transferimin e emigrantëve në Itali.
Sipas agjencisë ANSA, të ndaluarit kanë vështirësi në marrjen e medikamenteve, si dhe probleme me kontaktet me familjarët dhe avokatët, të drejta të garantuara nga ligjet italiane. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë dhe humanizmin e funksionimit të kësaj qendre, që ndodhet jashtë territorit të BE-së.
Deri më sot, 144 emigrantë kanë kaluar nga Gjadri, ndërsa 113 janë larguar për arsye të ndryshme:
40 për shkak të përfundimit të afatit të paraburgimit,
37 janë riatdhesuar,
15 janë liruar për arsye mjekësore,
7 kanë përfituar mbrojtje ndërkombëtare,
dhe të tjerët për arsye të ndryshme ligjore.
Të 27 personat që ndodhen aktualisht në kamp vijnë nga Algjeria, Senegali, Pakistani, India dhe Gana.
Shtesë e rëndësishme për këtë debat është edhe vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, e cila ka deklaruar se përcaktimin përfundimtar për vendet e sigurta duhet ta bëjë një gjykatë lokale, gjë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e qendrave si ajo në Gjadër. /Versus.al







