AKTUALITET /

“Do thërras Ramën si dëshmitar”, Kryemadhi: Asnjë provë ndaj meje e Metës! Dumani amnistoi grupin e Durrësit

Kryemadhi tha se SPAK nuk ka prova konkrete kundrejt saj dhe ish-bashkëshortit Ilir Meta, ndërsa paralajmëroi se në listën e dëshmitarëve të saj do jetë edhe kryeministri Edi Rama.

Shkruar nga Versus
“Do thërras Ramën si dëshmitar”, Kryemadhi:
Monika Kryemadhi

Seanca paraprake për dosjen hetimore në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, është shtyrë për në datën 9 tetor për shkak të mungesës së avokatit të Metës, Kujtim Cakrani i cili kishte probleme shëndetësore.

Në dalje të godinës së GJKKO e SPAK, ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi foli për gazetarët, para të cilëve pretendoi se nuk kishte asnjë provë konkrete që implikon atë apo Metën në ndonjë veprimtari të paligjshme. Sipas saj, dëshmitarët janë intimiduar nga prokurorët e posaçëm me qëllim që të fabrikoheshin prova kundrejt saj dhe Metës.

“Monika Kryemadhi Ilir Meta akuzohen për korrupsion pasiv, ndërsa nuk ka asnjë të akuzuar për korrupsion aktiv. Kur nuk ka korrupsion aktiv, si ka korrupsion pasiv? Sipas Altin Dumanit, Fatime Kryemadhit i fillon jeta në 2001-in në Tiranë. Kjo nuk do të thotë se qytetarëve që jetojnë në Tiranë u ka filluar jeta kur Dumani ka ardhur në Tiranë. Lë shumë për të dëshiruar mënyra dhe metodologjia e përdorur për hetimin. SPAK ka qenë shumë i zënë me intimidimin apo edhe kërcënimin e dëshmitarëve. Në dëshmitë që kam lexuar, përveçse kanë përballuar presionin dhe intimidimin kanë thënë të vërtetën, por dua t’ju bëj një pyetje: ku ndryshon një kriminel që i vendos pistoletën në kokë një biznesmeni, apo një prokurori nga një institucion si ky këtu që është mbrapa që kërcënon dhe intimidon një qytetar i cili nuk pranon të thotë atë që ka dëshirë të thotë prokurori në dosje”- tha Kryemadhi.

Mes të tjerash, ajo ngriti pyetjen sesa është sasia e drogës që është kapur në portin e Durrësit që prej ditës kur Altin Dumani u bë kryeprokuror i SPAK. Sipas saj, SPAK ka amnistuar grupin e Durrësit duke mbajtur në sirtar urdhër arrestet e antimafias italiane të cilat i zbatoi pas përfundimit të zgjedhjeve.  

“Përse nuk pyesin ditën që është bërë ky zotëria kryeprokuror sa kg drogë është kapur në portin e Durrësit? Zero! Kur erdhi vendimi i antimafias italiane për grupin e Durrësit u mbajt tre muaj në SPAK. Pasi i përdorën grupet krimnale në zgjedhje dhe pasi i njoftuan, ditën që dilte urdhri për arrest hanin e pinin bandat dhe më pas i hipën avionit dhe u larguan të lumtur në drejtime të paditura.

Po ju pyes edhe njëherë sa kg drogë janë kapur në portin e Durrësit që pas zgjedhjes së Dumanit në krye të SPAK? Kishte një presion të ambasadores Yuri Kim për të zgjedhur Dumanin si heroin e fëmijëve tanë, por e keni parë vetë që Shqipëria del në raportet ndërkombëtare si vend ku trafiku i drogës lulëzon”- shtoi ish-deputetja.

E pyetur për dëshmitarët që do të thërriste gjatë procesit gjyqësor, Kryemadhi tha se ka një listë të gjatë emrash, mes të cilëve edhe kryeministri Edi Rama. Versus.al

Poll