Florian Sulejmani, drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, duke e dorëzuar zyrtarisht kërkesën e largimit pranë ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se për këtë vendim është informuar edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa aktualisht nuk është marrë ende një vendim për pranimin ose refuzimin e dorëheqjes.
Arsyet që qëndrojnë pas këtij vendimi nuk janë bërë publike, ndërsa mbetet e paqartë nëse dorëheqja ka ardhur për arsye personale, profesionale apo për shkak të ndonjë presioni politik apo institucional.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është një nga institucionet më të rëndësishme në sistemin e kontrollit të brendshëm të Policisë së Shtetit dhe strukturave të sigurisë publike, ndaj çdo lëvizje në krye të saj ngjall interes të madh publik dhe politik. /Versus.al







