
Vijon në Gjykata e Posaçme seanca për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, ku këtë të enjte ka dëshmuar ish-zv.drejtori i Policisë së Elbasanit, Krenar Guçe.
Gjatë dëshmisë së tij, Guçe ka deklaruar se gjatë ushtrimit të detyrës ka qenë i kërcënuar dhe për këtë arsye ka marrë mbrojtje nga shteti për një periudhë dyvjeçare.
Ai u shpreh se ishte informuar nga ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, për ekzistencën e personave me qëllime dashakeqe ndaj tij.
“Gjatë kryerjes së detyrës më është bërë me dije se persona të caktuar kishin qëllime dashakeqe ndaj meje, madje kishin edhe foton time në telefon. Për këtë arsye kam pasur mbrojtje nga shteti për 2 vite,” deklaroi Guçe.
Ai shtoi gjithashtu se në nëntor të vitit 2021 ka pësuar një aksident ku ka thyer këmbën, duke qëndruar për gjashtë muaj në raport mjekësor.
Sipas tij, fotografia e tij ishte gjetur në telefonin e Dumanit.
Në vijim të seancës, gjatë pyetjeve të avokatit, Guçe u pyet për mosreferimin e një emri konkret në prokurori, lidhur me lëvizjet e një personi të dyshuar.
Ai u përgjigj se gjithçka është dokumentuar në procesverbal dhe i është referuar prokurorit, duke theksuar se bëhej fjalë për informacion që në atë kohë ishte pjesë e sekretit hetimor.
Pjesë nga diskutimi në seancë:
Avokati i Fatos Gosës: Ju kanë kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës?
Guçe: Gjatë kryerjes së detyrës, më ka thirrur ish-drejrori i përgj Gledis Nano dhe më është bërë me dije se persona të caktuar kanë pasur qëllime dashakeqe ndaj meje, kanë pasur foton time në telefon dhe për këtë arsye unë kam pasur mbrojtje nga shteti për 2 vite. Në 5 nëntor 2021 kam pësuar një aksident, theva këmben. Qëndrova 6 muaj me raport. Nuk më është dhënë shpjegim se kur ishte bërë kërcënimi. Fotoja ime ishte gjetur tek telefoni i Dumanit. Shteti shqiptar më ka dhënë mbrojtje
Avokati: Përse nuk i keni referuar prokurorit emrin e personit që keni kqyrur lëvizjet, Hajdar Bako Çopja?
Guçe: Procesverbali është i qartë. Ka qenë sekret hetimor. Po ta shikoni në dosje, do ta gjeni edhe procesverbalin që ia kam referuar prokurorit./Versus.al

