Prokuroria e Posaçme ka zgjatur me 3 muaj afatet e hetimit për dosjen e Tunelit të Llogarasë.
Dritan Prençi i ka komunikuar avokatit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku zgjatjen e hetimeve.
Zgjatja e hetimeve i është komunikuar edhe dy ish-vartësve të saj, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit.
Gjyli ndodhet në arrest shtëpie i akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë dhe gjatë kohës që është zhvilluar ky prokurim, ka qenë drejtor i Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar.
E njëjtë masë dhe akuzë rëndon edhe ndaj Erald Elezit, i cili ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur është zhvilluar tenderi i Llogarasë.
Ndërkohë, për Belinda Ballukun është në fuqi masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit.
Me vendim të GJKKO-së, në nëntor 2025, ajo u pezullua nga detyra, vendim që u la në fuqi nga Kushtetuesja.
Balluku u shkarkua përfundimisht nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, me firmë të kryeministrit Rama, pak ditë para se të futej në fuqi vendimi i Kushtetueses./Versus.al

