
Më shumë se një muaj pas një ngjarjeje tragjike që tronditi opinionin publik, familja e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj vazhdon të jetojë mes dhimbjes dhe kërkesës për drejtësi.
Sipas të afërmve, e reja dyshohet se i ka dhënë fund jetës pas dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj. Ngjarja ka lënë pas një familje të shkatërruar dhe pyetje të shumta pa përgjigje.
Për herë të parë pas tragjedisë, prindërit dhe familjarët kanë hapur dyert e shtëpisë dhe kanë rrëfyer përjetimet e tyre të dhimbshme.
Nëna e së ndjerës është shprehur mes lotësh për TopChannel:
“Shumë e vështirë ka qenë për ne se na ra befas, shumë dhimbje për ne. Vajza ishte shumë mirë në ëndrrat e saj, e lumtur. Veç kur na erdhi lajmi që është në spital. E kemi çuar vajzën nuse, me shkollë… vajzën e sollën në arkivol. Apeli im është që ai djalë vajzën time të mos e kishte prekur me dorë. Do Zoti që familja e tij të shkojnë ta marrin dhe ta vënë para drejtësisë dhe të vuaj për çfarë ka bërë për vajzën tonë.”
Ajo shtoi gjithashtu:
“Kur të arrestohet ai ne lehtësohemi pak.”
Ndërkohë, babai i 25-vjeçares ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe veprim të shpejtë nga institucionet.
“Dhimbjen e kam të madhe, i bëj apel institucioneve që të vënë dorën në zemër dhe të vënë drejtësi për atë krim që ka bërë ai kriminel dhe të kapet sa më parë. Vajza ime s’i ka pasur asnjë borxh. Kushdo që e sheh ta denoncojnë dhe ta çojnë para drejtësisë. Ekspertët të marrin dhe të hapin telefonin e vajzës time. Ditën kur tërhoqëm trupin nga morgu, ka pasur shenja në nofull, trup, krah, gjithkund… e ka bërë sikur të ishte egërsirë,” tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se telefoni i vajzës ende nuk është hapur nga autoritetet, duke kërkuar hetim të thelluar të rastit.
“Duam që ai djalë të kapet, Eraldo Fizi, të vuaj dënimin dhe të tregojë pse e ka rrahur motrën tonë,” u shpreh motra e të ndjerës.
Familja vijon të kërkojë drejtësi për Xhuanën, ndërsa autoritetet pritet të vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./Versus.al

